30-vjet marrëdhënie diplomatike, Rama: Shqipëria do të hapë ambasadën e saj në Kiev
Në 30-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike, Shqipëria do të hapë ambasadën e saj në Kiev të Ukrainës. Lajmin e jep kryeministri Edi Rama. “30 vjet marrëdhënie diplomatike. Në këtë vit jubilar Shqipëria do të hapë ambasadën e saj në Kiev, Ukrainë”, shkruan Rama në facebook.
Ministrja e Europës dhe e Punëve të Jashtme, Ola Xhaçka zgjodhi që në mesazhin e saj të vlerësimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, të njoftojë dhe rritjen e nivelit të përfaqësimit përmes hapjes së ambasadës shqiptare në Ukrainë.
“Pres me kënaqësi vijimin e bashkëpunimit me mikun dhe kolegun tim Dmytro Kuleba për të avancuar dhe forcuar bashkëpunimin tonë edhe më tej në të ardhmen”, shkruan Xhaçka në Twitter. Ukraina ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës.