30 vjet nga eksodi, Meta: Anija “Vlora” na fton për një reflektim të thellë mbi sakrificat
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka kujtuar 8 gushtin e vitit 1991, ku anija “Vlora” me 20 mijë shqiptarë u nis drejt Italisë.
Sot kur kanë kaluar 30 vite nga eksodi, kreu i shtetit nënvizon se ajo ngjarje na fton të gjithëve për një reflektim të thellë mbi sakrificat e jashtëzakonshme njerëzore.
“Anija “Vlora”, me të gjithë simbolikën, emocionet e forta dhe kujtimet e gjalla që risjell, na fton për një reflektim të thellë mbi sakrificat e jashtëzakonshme njerëzore, në emër të së cilave duhet të punojmë, për të ndërtuar një të ardhme më të mirë dhe dinjitoze për qytetarët tanë, veçanërisht kur shpopullimi është drama më e madhe, që po i ndodh vendit”,-shkruan Meta në facebook.
Postimi i plotë
Si sot 30 vite më parë, më 8 gusht 1991, rreth 20 mijë shqiptarë zbarkuan në brigjet e Italisë, në kërkim të lirisë dhe shpresës, duke i dëshmuar botës tragjedinë dhe mjerimin e popullit më të shtypur dhe të izoluar të kontinentit.
Anija “Vlora”, me të gjithë simbolikën, emocionet e forta dhe kujtimet e gjalla që risjell, na fton për një reflektim të thellë mbi sakrificat e jashtëzakonshme njerëzore, në emër të së cilave duhet të punojmë, për të ndërtuar një të ardhme më të mirë dhe dinjitoze për qytetarët tanë, veçanërisht kur shpopullimi është drama më e madhe, që po i ndodh vendit.