30-vjetori i eksodit, Presidenti Meta: Është koha të përmbushim ëndrrën për një Shqipëri si gjithë Europa
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta përshëndet veprimtarinë kushtuar 30-vjetorit të zbarkimit të Anijes “Vlora” në Bari të Italisë, duke thënë se ka ardhur koha të përmbushim ëndrrën e atyre mijërave shqiptarëve, që emigruan në vitin 1991, por edhe të çdo qytetari sot, për një Shqipëri si gjithë Europa. Kreu i shtetit u bë përmes një video-mesazhi, pjesë e veprimtarinë së organizuar nga Fondacioni “Napoli Novantanove” në “Parco Old Calabria”, në Kozenca të Kalabrisë, me rastin e 30-vjetorit të zbarkimit të emigrantëve shqiptarë në brigjet e Italisë, më 8 gusht 1991.
Postimi i plotë nga Presidenti Ilir Meta
E pranova me shumë kënaqësi ftesën e Fondacionit “Napoli Novantanove” për të përshëndetur sot veprimtarinë e organizuar në Kozenca të Kalabrisë, me rastin 30-vjetorit të zbarkimit të rreth 20 mijë shqiptarëve në brigjet e Italisë, më 8 gusht 1991, një ngjarje që simbolizon jo vetëm nisjen e një kapitulli të ri për Shqipërinë, por edhe për marrëdhëniet mes dy vendeve dhe popujve tanë.
Anija “Vlora”, me shqiptarët e vuajtur dhe të lodhur në bord, u shndërrua në simbolin e udhëtimit drejt lirisë, të shpresës për një jetë të re dhe një të ardhme sa më të mirë. Edhe pse askush prej tyre, nuk e kishte shkelur më parë Italinë, fliste gjuhën, njihte muzikën, kulturën dhe historinë e këtij vendi mik, sepse gjatë dekadave të errëta të diktaturës, Italia ishte dritarja e shpresës për të gjithë shqiptarët, të cilët arrinin ta preknin lirinë, duke parë fshehurazi televizionet dhe dëgjuar muzikën italiane.
Falenderim dhe mirënjohje të thellë për Komunën e Barit, qytetarët e Rajonit të Puljas dhe mbarë popullin italian, për solidaritetin e rrallë dhe përkrahjen e madhe që dhanë e treguan në ato momente të vështira dhe dramatike.
Tre dekada pas ngjarjeve të 8 gushtit 1991, sfidat e vendeve tona, për të tashmen dhe të ardhmen, janë të shumta. Por për ne, anija “Vlora” mbart ende një mesazh dhe një ftesë për reflektim, për të fituar kohën e humbur për përmbushjen sa më parë të ëndrrës së mijëra shqiptarëve, që emigruan dhe vazhdojnë të shohin largimin nga vendi si të vetmen shpresë, për të ndërtuar sa më parë një Shqipëri si gjithë Europa.