31 vjetori i PS-së, Berisha: U themelua nga serbët dhe Rama mbylli dyert e BE-së për Shqipërinë
Për 31 vjetorin e krijimit të Partisë Socialiste, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha thotë se festojnë vetëm ndërrimin e emrit, pasi partia sipas tij është krijuar nga serbët. Sali Berisha përmes një postimi të gjatë në facebook, thekson se kjo parti me në krye Edi Ramën, ndërtoi narkoshtetin e parë dhe të vetëm në Europë. Po ashtu për të në këto 9 vite në pushtet Partia Socialiste mbylli edhe dyert e Bashkimit Europian për Shqipërinë.
Shkrimi i plotë nga Sali Berisha
Partia Socialiste kremton sot si parti-shtet përvjetorin e ndërrimit të emrit!
Të dashur miq,
Sot, partia e PPSH feston ditën e pagëzimit të saj të tretë me emrin qe mbart sot. Ajo u themelua më 8 nëntor të vitit 1941 nga serbët Miladin Popoviç dhe Dushan Mugosha si Partia Komuniste e Shqipërisë. Për shkak të genocidit dhe krimeve kundër njerëzimit që kreu gjatë luftës si një parti terroriste e vërtetë, pas lufte emri u ndërrua nga PKSH në Partia e Punës së Shqipërisë dhe përsëri për shkak të genocidit dhe krimeve kundër njerëzimit që ajo si parti-shtet, nën udheheqjen e diktatorit gjakatar Enver Hoxha kreu për dekada në pushtet, u detyrua që më 12 qershor të vitit 1992, të ndryshojë emrin në Partia Socialiste e Shqipërisë.
Pas disa përpjekjeve të bëra nga Fatos Nano dhe një grup të rinjsh për reformimin e saj, kjo parti nën udhëheqjen e Edi Ramës është shëndrruar përsëri në një parti-shtet e lidhur gjerësisht në kreun e saj, me drogën, krimin dhe vjedhjet e mëdha të fondeve dhe pasurive publike.
Kjo parti sot, nën drejtimin e Edi Ramës kremton përvjetorin e ndërrimit të emrit si parti e veprave me të zeza dhe mynxyrës së vërtetë kombëtare si parti antikombëtare që shndërroi Tiranën në Beogradin e vogël që u shet shqiptarëve interesat e Serbisë për interesa të Shqipërisë, dhe që duke zbatuar platformën e Vaso Çubrilliviçit, përzuri në 4 vite 540 mijë shqiptarë nga Shqipëria.
Kjo parti me në krye Edi Ramën, ndërtoi narkoshtetin e parë dhe të vetëm në Europë dhe si parti shtet, instaloi pas 31 viteve, monizmin e plotë në Shqipëri. Këto 9 vite në pushtet, Partia Socialiste mbylli dyert e BE-së për Shqipërinë. Edi Rama, në krye të PS me lidhjet e tij të krimit, shndërroi Shqipërinë në epiqendër operative të organizatave kriminale të rajonit, Europës, Amerikës së Veriut e Amerikës së Jugut dhe Lindjes së Mesme.