4 raste të reja me Covid-19

Këtë të hënë, Ministria e Shëndetësisë ka bërë me dije se në 24 orët e fundit, janë vetëm 4 raste të reja dhe të shëruar janë po 4 të prekur nga Covid-19. Në 24 orët të fundit janë testuar 121 qytetarë të dyshuar si të prekur me Covid-19 dhe kanë rezultuar pozitivë 4, përkatësisht 2 qytetarë në Tiranë, 1 në Kamëz dhe 1 në Shkodër. Po ashtu edhe të shëruarit janë 4 qytetarë. Deri më sot janë konfirmuar pozitivë me Covid-19 në të gjithë vendin 872 qytetarë. 654 qytetarë janë shëruar, ose 75% e të gjithë të prekurve. Në të gjithë vendin aktualisht janë 187 persona aktivë me Covid-19, kryesisht në Tiranë, Krujë, Shkodër, Kamëz.

Situata në spitale paraqitet e qëndrueshme prej ditësh. Aktualisht në dy spitalet COVID janë të shtruar 28 pacientë dhe vetëm 3 prej tyre janë në terapi intensive. Prej më shumë se 10 ditësh fatmirësisht nuk kemi asnjë humbje jete. Me pak se 15% e te prekurve aktivë po marrin trajtim në spitalet Covid, pjesa tjetër ndiqet nga mjeku i familjes. Nga fillimi i epidemisë, deri tani, në vendin tonë janë kryer 11089 testime, nga të cilat 10559 janë testime molekulare dhe 530 janë testime serologjike.

Pavarësisht lehtësimit të masave, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i fton qytetarët të respektojnë rregullat, të ruajnë distancimin fizik dhe higjienën personale; bizneset të zbatojnë protokollet e sigurisë për të ruajtur shëndetin e qytetarëve.

“Qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm të mos neglizhojnë shenjat e sëmundjes Covid-19, ndaj ju lutemi telefoni në numrin unik të Urgjencës Kombëtare, 127. Për informacion në lidhje me COVID19, për këshillim psikologjik në rast të shfaqjes së shenjave të ankthit apo shqetësime të tjera, ju lutemi, telefononi në linjën e gjelbër 0800 40-40”.

Covid-19-Statistika (11 Maj 2020)

Testime totale 11089
Testime molekulare 10559
Testime serologjike 530
Raste pozitive 872
Raste të shëruara 654
Raste Aktive 187
Humbje jete 31 (Qarku Tiranë 18, Durrës 6, Fier 3, Vlorë 1, Shkodër 2, Kukës 1)

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive është si vijon:

Tiranë-87
Krujë-56
Shkodër-17
Kamëz-12
Fier-5
Kurbin-3
Elbasan-3
Mirditë-1
Berat-1
Durrës-1
Korçë-1

SHKARKO APP