400 mijë pula të ngordhura, Ministria: S’ka asnjë rast të gripit të shpendëve, apo sëmundje që rrezikojnë konsumatorin
Për ngordhjen e 400 mijë pulave në Durrës, Ministria e Bujqësisë thekson se nuk bëhet fjalë për grip shpendësh. Për ta nuk ka sëmundje që rrezikojnë konsumatorin apo produktet me origjinë nga shpendët. Prej dy javësh, 400 mijë pula kanë ngordhur në Durrës. Këto pula i përkasin 3 pularive të mëdha në qytetin bregdetar e ndërsa shkaqet janë ende mister.
Reagimi i plotë
Ministria e Bujqësisë nëpërmjet Agjencisë Kombëtare të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve dhe Institutit për Sigurinë Ushqimore dhe Veterinarinë informon opinionin publik se nuk ka asnjë rast të pranisë së influencës aviare (gripi i shpendëve) në Shqipëri deri më tani.
Pas analizave të kryera në tre data të ndryshme dhe me mbi 60 kampione, rezultatet e marra nga mostrat e dërguara nga Agjencia Kombëtare e Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve drejt laboratorit të certifikuar në Institutin për Sigurinë Ushqimore dhe Veterinarinë përjashtojnë kategorikisht sëmundjen virusale të gripit të shpendëve.
Rezultatet e analizimit në laboratorin e referencës konfirmojnë se nuk ka sëmundje që rrezikojnë konsumatorin apo produktet ushqimore me origjinë nga shpendët. Ju bëjmë me dije se rastet e dyshuara janë të lokalizuara në vetëm 2-3 stabilmente në një zonë të vetme.
Agjencia Kombëtare e Veterinarisë dhe Mbrojtjen e Bimëve dhe Instituti për Sigurinë Ushqimore dhe Veterinarinë janë në monitorim të vazhdueshëm dhe po bën kontrolle për të verifikuar arsyet e kësaj situatë epizootike.