45-vjeçari i ngacmoi partneren efektivit, Tonin Vocaj: Fola me autorin që të dorëzohet, është në gjendje të rëndë psikologjike
45-vjeçari Lorenc Kosta ka mbetur i plagosur në zonën e ”Komunës së Parisit” në Tiranë. Autori i identifikuar si Erjon Goxhara, del se është punonjës policie, dhe e ka plagosur 45-vjeçarin pasi ky i fundit dyshohet se i ka ngacmuar partneren. Policia thotë se i plagosuri ndodhet në spital, por ende nuk dihet gjendja e tij.
Drejtori i Policisë së Tiranës Tonin Vocaj në një deklaratë për mediat, tha se ka kontaktuar me autorin e dyshuar Erjon Goxhara, duke i bërë thirrje që të dorëzohet. Sipas tij efektivi i policisë është në gjendje të rënë psikologjike. Vocaj tha se fakti që e ka qëlluar në pjesën e poshtme të trupit do të thotë se nuk ka dashur që ta vrasë.
”Jemi duke zhvilluar hetimet, mund të themi se autori e ka qëlluar në pjesën e poshtme gjë që nuk tregon se ka dashur ta vrasë. Jemi duke kryer hetimet. Nuk e dimë nga është i plagosuri. Besoj në orët e pasdites do të kemi një komunikatë të plotë. Punonjësi i policisë ka qenë jashtë orarit të punës. Kam komunikuar me efektivin, është në gjendje të rënduar psikologjike, po e kontaktojmë që mos të kryejë ndonjë veprim tjetër ndaj vetes. I bëjmë thirrje dhe nëpërmjet medias që të dorëzohet. Siç duket i plagosur nuk është në rrezik për jetën”,-tha Vocaj.