5 Maji- Homazhe në nderim të Dëshmorëve të Kombit

 

Zyrtarë të lartë të vendit, përfaqësues të partive politike, veteranë dhe të afërm bënë të martën homazhe dhe vendosën kurora në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në nderim të të rënëve në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare.

Nën tingujt e muzikës funebre kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, kryeministri Edi Rama, anëtarë të kabinetit qeveritar, deputetë, etj, bënë homazhe dhe vendosën kurora me lule pranë monumentit “Nënë Shqipëri”, në nderim të kujtimit të dëshmorëve të rënë për lirinë e Atdheut.

Ceremonitë e homazheve nisën paraditen e sotme nga drejtuesit e lartë të Partisë Demokratike, të cilët vendosën kurora pranë monumentit “Nënë Shqipëri”, në nderim të  kujtimit të të rënëve në Luftën Antifashiste.

Në një deklaratë për mediat, kryetari i PD-së, Lulzim Basha, tha se jemi sot këtu për të nderuar dhe për t’u përkulur para atyre që zgjodhën flijimin në emër të idealeve të larta të lirisë. 5 Maji, shtoi ai, është frymëzim për çdo shqiptar për të bërë zgjedhjen e duhur në mbrojtje të të drejtave dhe lirive të tyre.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, njëherësh kryetar i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zhvilluar homazhe tek varrezat e dëshmorëve“Sot rikthehemi në këtë altar të lirisë kombëtare për të kujtuar çmimin e lartë të saj dhe për të përkujtuar ata që dhanë jetën e tyre për lirinë. Liria është vlera më e shtrenjtë për të cilën luftojnë kombet dhe njerëzit. Shumica dërrmuese e dëshmorëve të atdheut, të atyre që u flijuan në emër të lirisë, ishin të rinj. Ata patën një zgjedhje, një zgjedhje më të rëndë se ajo që ka rinia sot: të flijoheshin për liri. Edhe ne sot kemi një zgjedhje, të forcojmë dhe të mbrojmë lirinë e qytetarëve për t’u shprehur, për të votuar dhe për të larguar me votë qeverinë”, u shpreh kryetari i PD-së

SHKARKO APP