5 mandate të dorëzuara. Populli i votoi, por ata po lënë postin si deputet
Nga: Redjon Shtylla
Si kurrë më parë, ende pa nisur puna nga Kuvendi i ri, një valë e refuzimit të mandateve ka kapur të votuarit nga populli. I fundit që dorëzon mandatin e deputetit të fituar në zgjedhjet e 25 prillit është Lefter Koka. Kandidati i Partisë Socialiste ishte pjesë e listës së qarkut të Durrësit dhe mori mbi 9 mijë vota dhe mandatin.
I pari që u largua ishte Tom Doshi. Largimi që bëri më shumë bujë është nga Gramoz Ruçi. Ai njoftoi largimin nga politika dhe nga mandati nën argumenin se kishte plotësuar ciklin e tij pas 30 viteve në jetën aktive politike.
Najada Çomo po nga lista e PS-së, sot dorëzoi kërkesën për të mos e marrë mandatin e deputetit. Ajo ishte e para e listës së PS-së në qarkun Tiranë, por nga situata e pandemisë, ajo zgjodhi karrigen e mjekes. Mark Marku nga PD-ja përmes një reagimi në media bëri me dije se nuk do të jetë deputet në Kuvendin e ri. Por ai mund mos jetë i vetmi demokrat që heq dorë nga mandati.
Amerikanët e kanë të qartë se nuk duan ta shohin në sallën e Kuvendit liderin historik të demokratëve, Sali Berishën, pas shpalljes së tij ”Non-Grata” nga Uashingtoni. Por ish-kryeministri është shprehur se do të ulet në Kuvend si deputet. Është pak e çuditshme sesi po jepen këto dorëheqje nga mandati disa ditë para se të fillojë punë Kuvendi i ri, pasi ata e kanë fituar falë votave të qytetarëve, të cilët kanë besuar tek ta. Pikëpyetjet janë të shumta, por ajo që mbizotëron është SPAK-u.
Shtatori do të jetë i nxehtë edhe për drejtësinë. Në korrik u dhanë sinjale se po shkohet drejt e te të korruptuarit. Prokuroria e Posaçme ka mbi 700 dosje në duar dhe një numër i madh i tyre janë dosje korrupsioni. Po ashtu nëpër korridore të drejtësisë, thuhet se janë 50 dosje shumë të forta që po hetohen nga SPAK.
Këtë muaj do të shihet edhe nëse PS-ja dhe PD-ja do të pastrojnë listat e kandidatëve që kanë fituar mandatin e deputetit, siç SHBA-ja e kërkon. Qëndrimi i përsëritur nga Yuri Kim është që në Kuvend nuk duhet që të ulen persona që kanë probleme me ligjin.
”Do të kërkojë që Edi Rama, Lulzim Basha, si dhe udhëheqës të tjerë të kontrollojnë listat edhe njëherë për t’u siguruar që kur të kthehen në Parlament, njerëzit të mund të jenë krenarë për përfaqësuesit e tyre”.
Shtatori pritet të jetë një ”bombë” e vërtetë, se kush do të digjet, kjo mbetet për tu parë. Deri atëherë, politikanët po shijojnë rrezet e nxehta të gushtit, si një parapërgatitje për shtatorin.