53 vite nga sfida historike me Gjermaninë, Meta: Kuqezinjtë u dhanë krahë ëndrrave për arritje të niveleve europiane
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka kujtuar një nga ndeshjet historike të Shqipërisë me Gjermaninë, ajo e viteve 1967, ku kuqezinjtë e mbyllën sfidën me një barazim historik 0-0. Sipas kreut të shtetit, kuqezinjtë e asaj dite u dhanë krahë ëndrrave të gjeneratave të mëpasme, për arritje më të mëdha të niveleve europiane. ”Gjermania Perëndimore luante me emrat më të njohur të kohës, me futbollistët e shquar Peter Meyer, Gunter Netzer, Willi Schulz e shumë të tjerë, por që në atë ndeshje dramatike për ta, nuk arritën dot më shumë se barazimi, duke regjistruar për të parën herë mosmarrjen pjesë të këtij ekipi të madh në një Kampionat Europian’‘,-shkruan Meta në facebook.
Postimi i plotë i Presidentit Ilir Meta
Sot kujtojmë me krenari, një nga ndeshjet më të shkëlqyera të Kuqezinjve, barazimin historik 0-0 me Gjermaninë Perëndimore në “Qemal Stafa”, rezultat që skualifikoi 53 vjet më parë Nënkampionët e Botës nga Euro ’68 dhe shokoi futbollin gjerman të asaj periudhe.
Kombëtarja Kuqezi e drejtuar nga legjenda Loro Boriçi, zbriti në fushë me Koço Dinellën, Frederik Gjinalin, Lin Shllakun, Josif Kazanxhi, Sabah Bizi, Medin Zhega, Frederik Jorgaqi, Ramazan Ragami, Ali Mema, Teodor Vaso e Panajot Pano, duke luajtur një nga ndeshjet më të bukura ndonjëherë, për të shënuar edhe një gol në minutën e ’53, por që nuk u quajt i rregullt nga arbitri austriak, Ferdinand Marschall.
Gjermania Perëndimore luante me emrat më të njohur të kohës, me futbollistët e shquar Peter Meyer, Gunter Netzer, Willi Schulz e shumë të tjerë, por që në atë ndeshje dramatike për ta, nuk arritën dot më shumë se barazimi, duke regjistruar për të parën herë mosmarrjen pjesë të këtij ekipi të madh në një Kampionat Europian.
Për trajnerin gjerman, Helmut Schon kjo ishte ”Dita më e zezë e karrierës. Një ndeshje dhe një rezultat mizor”. Lojtari gjerman Bernd Patzke, do të shprehej ”Ajo ndeshje ka hyrë në librat e historisë së futbollit gjerman”.
Krenar për kuqezinjtë e asaj dite, të cilët u dhanë krahë ëndrrave të gjeneratave të mëpasme, për arritje më të mëdha të niveleve europiane.