6 euro për çdo minutë pune, deputetët shqiptarë janë më të paguarit. Rekord dhe miratimi i ligjeve
Edhe pse Kuvendi që prej tetor 2023 ka qenë në kaos dhe jo punë, përfitimet ekonomike për deputetët kanë qenë të larta. Instituti i Studimeve politike në raportin e publikuar për vitin parlamentar 2023, del që 8 seancat e zhvilluara nga nisja e kaosit deri në mbyllje të vitit parlamentar, kanë zgjatur vetëm 97 minuta. Nga ana tjetër po ashtu rekord është miratimi i një ligji apo një vendimi pa diskutime, në mesatarisht 2.4 minuta.
“Të dhënat statistikore të aktivitetit parlamentar dëshmojnë se gjatë periudhës 30 tetor dhe 21 dhjetor, në të cilën seancat plenare u bënë të shkurtuara për shkak të incidenteve të shumta fizike në parlament, një vendim është marrë në vetëm 2.4 minuta, dhe se 8 seancat janë zhvilluar në vetëm 97 minuta. Statistikisht një seancë plenare ka kosto të lartë buxhetore (10-12 mijë euro) dhe zhvillimi i tyre në 4 ose 8 minuta e bën funksionin e deputetit profesionin më të paguar për minutë në Shqipëri”, thuhet në raportin në fjalë.
8 seanca në total 97 minuta, minimumi kanë kushtuar 80 mijë euro, ose ndryshe 825 euro në minutë. Ndërkohë që janë 140 deputetë pjesë e Kuvendit, llogaria del marramendëse me 5.9 euro në minutë, duke e kthyer postin e deputetit në më të paguarin në vend, të paktën në periudhën e fundit të vitit 2023.