6 janar katër vite më parë, një nga ditët më të vështira në historinë e SHBA-së

Katër vjet më parë më 6 janar, mbështetësit e Trump sulmuan Kapitolin. Presidenti në largim Biden e kujton këtë ditë për një paralajmërim. 6 Janari 2021 nuk duhet të “rishkruhet”.

Katër vjet pas sulmit në Kapitolin amerikan në Uashington, presidenti në largim, Joe Biden paralajmëroi se incidentet e asaj kohe nuk duhen harruar. “Unë nuk mendoj se ne duhet të pretendojmë sikur nuk ka ndodhur,” u tha presidenti demokrat gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.

Sulmi në Kapitol
Më 6 Janar 2021, mbështetësit e republikanit Donald Trump sulmuan Kapitolin për të parandaluar certifikimin e fitores zgjedhore të Joe Biden në parlament. U shkatërruan zyra, deputetë të shumtë u fshehën nga frika për jetën e kërcënuar nga banditë. Si rezultat i trazirave humbën jetën pesë vetë, 140 policë u plagosën.

Biden e quajti këtë “një nga ditët më të vështira në historinë amerikane”. “Demokracia jonë fjalë për fjalë u vu në provë. Dhe për fat të mirë demokracia jonë rezistoi.”

Biden përhap besim
Presidenti amerikan, Biden foli gjithashtu me anëtarët e sapozgjedhur demokratë të Kongresit në Shtëpinë e Bardhë. Duke iu drejtuar atyre, ai tha: “Tani është detyra juaj të thoni të vërtetën dhe të mbani mend atë që ndodhi. Mos lejoni që 6 Janari të rishkruhet dhe as të fshihet”.

Lidhur me rolin e Trump, Biden tha: “Unë mendoj se ajo që ai bëri ishte një kërcënim real për demokracinë”, duke shtuar, se “jam i bindur se e kemi lenë pas këtë”.

Donald Trump nxiti mbështetësit e tij gjatë një fjalimi në vitin 2021 duke pretenduar se atij i ishte vjedhur fitorja nga mashtrimi masiv i zgjedhjeve. Menjëherë më pas shpërthyen trazirat. Shumë nga sulmuesit tani janë dënuar – megjithëse Trump ka premtuar falje.

Biden premtoi gjithashtu “tranzicion të qetë” të pushtetit
Në një artikull për Washington Post, presidenti amerikan, Joe Biden pa përmendur drejtpërdrejt Trumpin, u ankua për një “përpjekje të pandalshme për të rishkruar apo edhe fshirë historinë e asaj dite”. Po bëhet një përpjekje për të “na thënë se nuk e pamë atë që pamë me sytë tanë”, shkroi Biden. “Ne nuk mund të lejojmë që e vërteta të humbasë.

Në të njëjtën kohë, Biden iu referua përpjekjeve të tij për të siguruar një “tranzicion të qetë”. SHBA-të duhet të kthehen në një “transferim normal të pushtetit”. DW

SHKARKO APP