”6 marsi për të pasur opozitë”, Arben Imami: Çdo votë për kandidatin e Bashës, i hap rrugën PS-së
Drejtuesi i fushatës së Shkodrës për kandidatin e “Shtëpisë së Lirisë”, ish-ministri Arben Imami thotë se zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit, do të përcaktojnë opozitën e viteve të ardhshme. I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ai ndër të tjera tha se çdo votë për kandidatët e Bashës, shkon fitore për PS-në.
”Këto zgjedhje janë të rëndësishme, nuk bëhet fjalë vetëm për Shkodrën, por për të gjithë Shqipërinë, kur mungon një opozitë reale. Lufta për këto bashki, është lufta për të patur opozitë vitet e ardhshme. Kjo betejë është shumë e rëndësishme.
Zoti Spahia mori përsipër një detyrë të rëndësishëm. Bardh Spahia i ka kapacitetet për ta drejtuar Bashkinë e Shkodrës, ka mbështetjen e elektoratit dhe më gjerë se kaq. A do të fitojë për herë të parë e majta në Shkodër, apo do të fitojmë ne në Shkodër? Unë besoj që kemi mbështetje për të përfaqësuar shumicën e së djathtës në Shkodër.
Nga sondazhet e mediave raporti është 9-1 ose 8-2, mes Sali Berishës dhe Lul Bashës. Nuk kam asgjë personale me zotin Bushati, por vota për zotin Bushati është njëlloj sikur të bësh një abstenim dhe me këtë mënyrë t’i hapësh rrugën kandidatit të PS.
Shumica është e përcaktuar në të djathtën shqiptare. Pakica është Lul Brava. Votat e çuara tek Lul Brava, janë vota që i shërbejnë Edi Ramës. Basha dhe lufta e tij për të qëndruar me çdo mjet, qoftë edhe me 5% apo 10%, i shërben Ramës”.