7 kryebashkiake gra, në 54 bashki të numëruara

Përfundimi i numërimit të votave në 54 bashki ka nxjerrë fituese 7  gra, të cilat janë të gjitha pjesë e koalicionit të Aleancës për Shqipërinë Europiane.

Kështu në 54 bashkitë ku ka përfunduar votimi, 41 prej tyre janë fituar nga ASHE, ndërsa 13 bashki janë fituar nga Aleanca Popullore për Punësim dhe Dinjitet e kryesuar nga Partia Demokratike, ku deri më tani nuk ka asnjë kryebashkiake femër të zgjedhur, ndërsa pritet përfundimi i numërimit në Bashkinë e Shkodrës ku përballë janë dy gra, Voltana Ademi për APPD-në dhe Keti Bazhdari për ASHE-në.

Sa i takon bashkive të numëruara, e para që i është gëzuar fitores ishte kandidatja Florjana Koka, e cila tashmë do të marrë drejtimin e Bashkisë së Sarandës. Më tej, këtij gëzimi i janë bashkuar Luljeta Dollani në Bashkinë e Gramshit, Majlinda Bufi në Roskovec, Luiza Mandi në Libohovë, Rajmonda Balilaj në Patos, Zamira Rami në Gjirokastër dhe Miranda Rira në Prrenjas.

SHKARKO APP