75 vota si kryetare e Kuvendit, Elisa Spiropali: Dera ime do të jetë e hapur për këdo që troket në të
75 vota pro dhe 4 kundër, ka marrë Elisa Spiropali si kryetarja më e re e Kuvendit, ku votimi me kuti u anulua përshkak të protestës së PD-së. Votimi për Spiropalin është zhvilluar me elektronikë. Në fjalën e saj të parë si kryeparlamentare, Elisa Spiropali shprehu falënderime dhe mirënjohje që iu besua pozicioni si kryeshërbëtore e Kuvendit. Po ashtu tha se zyra e saj do të jetë e hapur për këdo që do të trokasë në të. ”E patolerueshme është dhuna në të gjitha llojet dhe fytyrat e saj të shëmtuara. Fjalët që fyejnë dhe frazat që vrasin do të trajtohen nga unë vetëm me gërmën e rregullores së Kuvendit. Nëse do të gjejmë mirëkuptim në këtë pikë, nuk kam asnjë dyshim që nuk do të ketë pikë e presje tjetër që do të na ndajë nga mënyrat e ndryshme me të cilat ne, të majtë e të djathtë, gjykojmë se kryejmë detyrën tonë”,-tha Spiropali.
Fjala e plotë e Kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali
I nderuar Kryeministër,
Të nderuar kolege e kolegë deputetë,
Të dashur qytetarë,
Mirënjohja është një fjalë që në gjuhën e dikujt që merret me politikë tingëllon si trokitja e një gote kristali fallco; siç tingëllojnë xhanëm të gjitha fjalët kyçe të bashkëjetesës sociale, ku bashkëjetesa politike është territor i mbuluar me re të zeza gjykimesh e paragjykimesh të frikshme. Po edhe përtej këtij territori, në jetën e përditshme të turrvrapit kapitalist dhe arrivist, mirënjohja ka hyrë në garderobën e kostumeve të kohëve të vjetra, jashtë mode.
Sot, dua të them se mirënjohjen që gjithnjë e kam kuptuar si detyrim për të kthyer më shumë sesa kam marrë, e ndjej si një shtysë për të bërë më shumë sesa kam mundur deri më tani. Nuk kam drojë të pranoj se jam e prekur si asnjëherë më shumë në jetën time të shkurtër apo të gjatë publike (mvaret nga këndvështrimi), nga vlerësimi që më blatuat duke më zgjedhur në krye të Kuvendit të Shqipërisë.
Besoj që e di mirë që ky është një ushtrim jashtëzakonisht i vështirë politik, social, qytetar, sa personal aq kolektiv, po në fund jam shumë e qartë që në këtë ushtrim çfarë shkon mirë është e juaja, çfarë shkon keq është e kujtdo që ju ngjisni këtu lart. Megjithatë kjo nuk më tremb, por vetëm më vetëdijëson dhe më motivon. Mirenjohjen ia blatoj të parëve qytetarëve që më sollën këtu në 2017-ën dhe më risollën në 2021-shin, si deputete të Kuvendit të Shqipërisë në këtë sallë, që për mua është maja më e lartë e vendit për një qytetar të vendit.
Mirënjohjen ua kam detyrim sot e gjithmonë, secilit koleg në këtë sallë, dhe kryetarit të kësaj shumice, kryeministrit të vendit, njeriut më të pakënaqur nga vetja e nga ne, që ma besuan mua përgjegjësinë solemne të kryeshërbëtorit të këtij kuvendi, për Shqipërinë e sotme dhe Shqipërinë 2030!
Në këto pak fjalë dhe të kësaj fjale të parë jopolemike në këtë sallë dhe në këtë situatë krejt atipike për mua, duke pasur parasysh tre vitet e këtij mandati qeverisës kaluar në vijën e parë të zjarrit politik këtu, një shkallë më poshtë, dua të falenderoj me zemër zonjën grua që zëvendësova sot.
E dashur Lindita, Gjatë këtyre tre viteve të para të kësaj legjislature, e drejtove këtë Kuvend më përkushtim, urtësi e durim që më është dukur gjithnjë mbinjerëzor. Deri dje kisha një zili të çuditur për ty, sot kam një zili të sekëlldisur nga krahasimi që do më bëhet me ty. Do përpiqem modestisht të të ngjaj në përkushtim e urtësi dhe uroj që të të afrohem sadopak në durim.
Të nderuar kolegë të opozitës, Ju që jeni mësuar të debatoni me mua në këtë sallë e përtej saj, shpesh më ashpër se sa butë, dijeni se do t’ju shoh njësoj përballë po nuk do të më më keni më përballë. Do të më gjeni vullnetmirë në krahun tuaj të djathtë, po njësoj si shokët e kolegët e mi majtas do të më kenë në krahun e tyre të majtë, kurdoqoftë e drejta që ju jep rregullorja dhe fryma e bashkëpunimit do të jenë me ju. Në fakt – dhe ky është premtim – lutem që të jem thjesht e para mes të barabartëve sa kohë debati, por jo sherrnaja, argumenti i mendjeve, por jo dalja nga mendtë, zjarri i përballjes demokratike, por jo përballja piroteknike, do të jenë emëruesi i përbashkët nën këtë tavan që i ka parë të gjitha dhe ku mblidhemi të gjithë për t’u ballafaquar në emër të të të gjithë atyre që na kanë sjellë këtu.
Këtu nga po ju drejtohem për herë të parë dua të më ndihmoni edhe ju ta mbaj këtë premtim, por dua po ashtu ta dini që sot se nëse do të gjykoj se duhet të ndërhyj si palë nuk do ta bëj nga këtu, po do të zbres pa u stepur poshtë në foltore, si pjesë e pandashme e palës që ka përgjegjësinë në drejtimin e këtij vendi.
E di që forca dhe trysnia e traditës, bindjet e mia të pandryshueshme, të njëjta me ato të shumicës së kësaj salle dhe shpesh krejt të papajtueshme me pakicën e saj, janë një peshë nga e cila vështirë se mund të ndahem dhe në fakt, as nuk dëshiroj të ndahem, por dua të besoj se askush në këtë sallë nuk do të ma kursejë ndihmën për të qenë thjesht e parë mes të barabartëve dhe për ta kryer detyrën me paanësinë e palëkundshmërinë që kjo detyrë e lartë kërkon.
Ndër ju kolegë të shumicës besoj se e dini vetë që për ta bërë si duhet këtë detyrë që më zgjodhët të bëj, unë nuk do të jem me ju si gjithnjë gjermësot brenda këtyre mureve, kur opozita të jetë në të drejtën e saj që mund të mos jetë e drejtë në këndvështrimin tuaj. Rritja e përgjegjshmërisë, produktivitetit, transparencës dhe llogaridhënies së Kuvendit përpara qytetarëve, mbikqyrja dhe kontrolli parlamentar në ndarjen e pushteteve, do të jenë prioritet i Kuvendit; gjithëkush është i ftuar të japë kontributin e tij dhe kontributi i gjithkujt ka një ftesë të hapur për t’u ushtruar në përditshmërinë e këtij institucioni kushtetues.
Të nderuar kolegë, Me lejoni të ndaj me ju një ndjesi të brendshme që është sa politike, po aq edhe njerëzore. Ndjehem e përulur, por jo e shtypur nga pesha e besimit që m’u dha, nga rëndësia e sprovës që duhet të përball dhe nga solemniteti i asaj çka duhet të ndodhë në këto muaj që po vrapojnë drejt ndeshjes së ardhshme elektorale. Dera e zyrës sime do të jetë e hapur në dy kanata për cilindo nga kolegët, të majtë e të djathtë që do të trokasin në të. Do të jetë e hapur për ujë e kafe, për qetësi dhe durim; do të jetë një hapësirë lirie për debatin e nevojshëm për përgatitjen e seancave dhe për garantimin e gjithë kushteve të nevojshme për ushtrimin e detyrës së deputetit.
Sa më shumë debat në zyrë sy më sy, aq më pak sherr në sallë, sa më shumë bashkëpunim paraprak, aq më pak kacafytje të panevojshme në syrin e publikut që është neveritur së dëgjuari palokomunikimet me gishta në vesh. Kush flet qetësisht, dëgjohet më shumë, ashtu siç shkon më larg e më lart ai që ecën më ngadalë e më shtruar. Kjo nuk është këshillë, kjo është filozofia që forcën e saj e gjen tek argumenti dhe shmang forcën si argument të vetëm.
E patolerueshme është dhuna në të gjitha llojet dhe fytyrat e saj të shëmtuara. Fjalët që fyejnë dhe frazat që vrasin do të trajtohen nga unë vetëm me gërmën e rregullores së Kuvendit. Nëse do të gjejmë mirëkuptim në këtë pikë, nuk kam asnjë dyshim që nuk do të ketë pikë e presje tjetër që do të na ndajë nga mënyrat e ndryshme me të cilat ne, të majtë e të djathtë, gjykojmë se kryejmë detyrën tonë.
Të nderuar kolegë, Besoj se pavarësisht ndarjeve thelbësore që kemi demonstruar me njëri-tjetrit, pavarësisht papajtueshmërive shpesh tmerrësisht ekstreme, besoj se përtej tyre, secili nga ne bashkëndan bindjen se vetëm nxitja e reformave për të ecur përpara për të shmangur stanjacionin, e për më shumë, edhe prapakthimet e padëshiruara, fuqizimi i institucioneve të pavarura, në radhë të parë atyre të sistemit të drejtësisë, pavarësia e degëve të qeverisjes dhe rritja e përgjegjshmërisë së tyre përpara qytetarëve, konsolidimi i vlerave të institucioneve demokratike, transparenca e qeverisjes, e veprimtarisë parlamentare; së bashku dhe veç e veç si mjete të pazëvendësushme për përshpejtimin e antarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe shndërrimin e Shqipërisë në Evropën e Ballkanit, do të jetë harta dhe yllësia jonë dhe orientimi ynë i vetëm.
Le të tregojmë se jemi ligjvënës e patriotë të denjë, bashkëndërtues të institucioneve dhe bashkëmbrojtës të vlerave demokratike. Le të mos e konsiderojmë bashkëpunimin as dobësi dhe as imponim, por një instikt të brendshëm të veprimtarisë së çdo deputeti dhe standart të procesit parlamentar. Unë do të jem e përkushtuar që Kuvendi të ushtrojë lidershipin e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, nëpërmjet garantimit të legjitimitetit demokratik dhe gjithëpërfshirjes.
Diplomacia parlamentare do të jetë në shërbim të Shqipërisë europiane. Shqipëria europiane do të jetë fari prej nga do të orientohet Kuvendi i Shqipërisë dhe secili prej nesh. Nuk ju ftoj, por ju lus të gjithëve: Le të jemi të gjithë së bashku më shumë patriotë dhe më pak partiakë! Nesër, kur pasionet e luftës së paprerë politike të ditës të jenë fashuar dhe fashitur, besoj se secili do të gjejë një vijë ndarjeje mes atyre që do të sillen si shqiptarë patriotë dhe atyre që nuk mundën të ngrihen në këtë lartësi të ndërgjegjes kombëtare. Edhe njëherë, ju faleminderit të gjithëve dhe premtoj se do të jap pa kursyer më të mirën në ushtrimin e kësaj detyrë të lartë që më besuat. Mirënjohje gjithmonë! Na priftë e mbara ne sesionin tjetër!