78 vota kundër, bien dy kërkesat e grupeve të PD-së për shkarkimin e Lindita Nikollës

Me 78 votat e maxhorancës, në Kuvendin e Shqipërisë u rrëzua kërkesa e 28 deputetëve të opozitës për shkarkimin e kryeparlamentares Lindita Nikolla. Votave të maxhorancës iu bashkua edhe ajo e kryeministrit Edi Rama, i cili u paraqit në seancë plenare vetëm për të votuar kundër kërkesës për shkarkim.

Në fjalën e saj para votimit, kryeparlamentarja Nikolla deklaroi se ndihet e prekur nga kërkesa, por theksoi se asaj i mungon themeli. Sipas saj, opozita ka shpikur një kauzë artificiale dhe e mbështet kërkesën në interpretime.

“Prita me qetësi kërkesën e 28 deputetëve për shkarkimin tim. Pasi u njoha me këtë kërkesë, fillova të reflektoj. Ktheva kokën për të parë ku kisha gabuar. Por, më rezultoi se acarimi dhe konflikti në Kuvend, nuk kanë ardhur për shkakun tim, por jo rrallëherë dhe për shkak të mosmarrëveshjeve dhe grindjeve tuaja të brendshme. Prandaj, nuk e paragjykoj këtë kërkesë, si një dobësi tuajën përballë trysnive dhe halleve të partisë, por si e drejta juaj në rrethanat tuaja, prej emocioneve tuaja, prej ambicieve tuaja”, tha Nikolla para votimit.

SHKARKO APP