8 dhjetori ’90-të, Shehu: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, aktuale në Shqipëri, duhet përsëritur
“‘E duam Shqipërinë si gjithë Europa’ është përsëri aktuale në Shqipëri”, tha sot për ATSH, ish-Kryetari i PD-së Tritan Shehu, protagonist i lëvizjes së dhjetorit, ndërsa theksoi se duhet të përsëritet në një lëvizje popullore.
Në një intervistë për ATSH-në, Shehu u shpreh se “8 dhjetori ’90 është një nga ditët më të mëdha të historisë. Është një ditë që shënon jo vetëm fundin e një diktature të egër, po fundin e një kalvari të gjatë qindravjeçar të Shqipërisë, e cila e ka përjashtuar nga familja e saj europiane, e ka përjashtua nga parimet perëndimore, po shkonte dhe po zhytej gjithmonë dhe më thellë në diktaturat më të egra dhe më gjakatare të lindjes dhe pra si e tillë, e kishte futur vendi në një izolim të thellë, varfëri ekstreme, shkatërrimi i plotë i lirive dhe dinjiteti të njeriut”.
“Pra, 8 dhjetori, shënon jo vetëm daljen e Shqipërisë nga diktatura komuniste, por për herë të parë që nga koha e Skënderbeut, lidhet përsëri me botën perëndimore në afrimin e saj me familjen europiane në realizim të aspiratës sonë të madhe për demokraci, për liri, për të drejta, për Europën, pra për përkatësinë tonë atje ku e kemi dhe për të cilën realisht shqiptarët megjithëse kanë ëndërruar dhe janë përpjekur për shekuj, sërish kishin ngelur të përjashtuar. Pra, 8 dhjetori është ngjarje shumë e madhe. Një ngjarje që shënon epokën e madhe të zhvillime që pastaj u pasprimë menjëherë pas pak ditësh nga krijimi i PD-së, i forcës së parë dhe që ngel e vetmja në Shqipëri me një aspiratë të thellë perëndimore me një aspiratë europiane me koncepte të qarta të liberalizmit, me koncepte të qarta të ekonomisë së tregut, me koncepte të qarta të zhvillimeve që duhet të ketë Shqipëria për të qenë pjesë e familjes europiane dhe me një demokraci të konsoliduar brenda saj”, tha ai.
Duke kujtuar 8 dhjetorin, Shehu tha se “në atë periudhë kam qenë profesor në universitet dhe në ato ngjarja jam ndodhur me kolegët e mijë pedagog që ditën e parë në Qytetin studenti për të konsoliduar atë lëvizje, për të kontribuar sado pak në atë lëvizje dhe pastaj padyshim u ndodha menjëherë në radhët e PD-së ku jam edhe sot dhe i konsideroj një kënaqësi dhe një krenari të veçantë atë çfarë mund të bëja atë ditë me studentë dhe me kolegët e mi”.
Shehu tha se “8 dhjetori ishte lëvizja e fillimi të përmbysjes së komunizmit. Padyshim komunizmi në Shqipëri nuk mund të mbaronte në një ditë, do duheshin lëvizje të tjera më vonë, ligje të miratuara, afrimi i Shqipërisë me BE, anëtarësimi në NATO, hapja e Shqipërisë ndaj familjes perëndimore, konsolidimi i demokracisë dhe institucioneve në Shqipëri. Përmbysja e komunizmit është një proces i gjatë. Atë ditë ju dha goditja fatale komunizmit. Atë ditë u shënua tërmeti i madh në themelin e komunizmit që e cila pasoi me një proces zhvillimi të cilat meritat i takojnë PD-së, lidershipit të saj që nga Azem Hajdari dhe më pastaj nga lideri ynë historik i cili kishte vizionin e veçantë të lëvizjes, Sali Berisha”.
Shehu tha më tej se “fatkeqësisht thirrja “E duam Shqipërinë si gjithë Europa” është përsëri aktuale në Shqipëri, sepse Shqipëria nuk është si gjithë Europa, Shqipëria veçanërisht vite e fundi i është larguar larg shumë Europës”.
“Shqipëria vite e fundit ka treguar se nga ata që e drejtojnë në këtë periudhë nga viti 2013 se rreziku i largimit nga Europa është një rrezik potencial dhe rreziku i zgjedhjeve dhe rënies në influencën e lindjes është një rrezik potencial. Fjala ‘Shqipëria si gjithë Europa’ është një fjalë e gjerë e cila nuk shpreh vetëm një nga aspiratat gjeografike, por shpreh një aspiratë vlerash, ekonomike, bashkëjetesë në familjen tonë dhe padyshim shpreh në vetvete domosdoshmërinë e një ecurie në bazë të një programi të qartë europeiste dhe perëndimor për të qenë si gjithë Europa e cila është bashkësia e vlerave të mëdha, është bashkësia e lirisë dhe e prosperitetit për Shqipërinë dhe shqiptarët. Nuk ka të ardhme tjetër përveç BE-së. E ardhmja tjetër na kthen pas në kohë, shekuj apo dhjetëra vjeçar të tjerë duke na futur në skutat e lindjes apo në skutat e autokracive apo skutat e humbjes së lirive dhe të vlerave”, u shpreh ai.
Në lidhje me riminishencat e diktaturës së shfaqur dhe nëse PD nuk bëri sa duhet për dekomunistizimin e vendit dhe pajtimin kombëtar të Shqipërisë, Shehu tha se “padyshim se asgjë nuk ka qenë prefekt, dhe po të shikosh sot në retrospektivë shumë gjera mund të ishin bërë më mirë, mund ishin bërë më të plota, mund të ishin më të thella dhe kjo është e vërtetë, por çdo gjë tjetër e gjykuar në nivelin tonë të njohjeve në atë periudhe, të njohjeve të besueshmërisë që kishim në familjen europiane, të kapaciteteve që kishte Shqipëria në atë periudhë në kuptimin e një vizioni të qartë politik për demokracinë dhe institucionet, por një gjë që PD ka bërë gjera madha në periudhën e qeverisjes qoftë në qeverisje, qoftë në opozitë”.
Ai shton se “unë nuk e shoh vetëm te disa fosile që dalin me parulla dhe fotografi, unë e shoh te tendenca për të shkelur demokracinë, kufizuar demokracinë, tendenca për të deformuar proceset demokratike siç janë proceset zgjedhore dhe mungesa e një sistemit të drejtësisë, tendenca për ligjin kundër shpifjeve që është një kopje e ligjit të agjitacion e propagandës së ligji 55, pra unë e shoh te tendenca për të krijuar monopole, tendenca për të penguar iniciativën e lirë ekonomike dhe këto janë tentativa për të na kthyer në lindje në traktatin azio-rus, hapësira që të bëjnë të largohesh nga europa. Pra është shumë më tepër kompleks manifestimi i vullneteve për t’u kthyer pas dhe lidhet me komplekset autokratike të kryeministri aktual i cili kërkon të kthehet një autokrat për Shqipërinë.
Në vijim, Shehu tha se ka shumë shenjat të rikthimit të autokracisë nga rilindja, sepse rilindja nuk jeton dot pa to.
“Kryeministri nuk jeton pa autokracinë, modelet e tij janë autokratë në botë dhe në rajonin tonë. Problemi është i mprehtë dhe i rrezikshëm, prandaj thënia e madhe në 8 dhjetor “E duam Shqipërinë si gjithë Europa” është një thënie aktuale dhe sot, ka vlera të mëdha dhe duhet të përsëritet dhe duhet të motivojë njerëzit për të mbrojtur ato që arritëm këto vite gjithmonë duke patur parasysh se kthimi pas nuk është i pamundur”, tha ai.
“Fatkeqësisht metodat demokratike në Shqipëri kanë dështuar këto vite. Kjo autokraci e krijuar përdor çdo metodë për të goditur themelin e demokracisë, siç goditi drejtësinë, proceset zgjedhore, siç ka goditur barazinë në treg apo terrorizojë njerëzit të rrinë të heshtur”, tha ai.
“Ai ligj për memet, për shpifjet, me tingëllon si ligji i dikurshëm i Ramiz Alisë për monumentet që u shembën bashkë me Ramizin vetë, dhe u shembën me lëvizje të masave popullore, prandaj mendoj se kjo është e domosdoshme. Edi Rama kërkon të riciklojë mentalitetet dhe metodat e Ramiz Alisë për të terrorizuar njerëzit, por jam i bindur që një lëvizje popullore do përfundojë si Ramiz Alia. Prandaj kërkohet një lëvizje popullorë jo thjeshtë për një rrotacion politik, por për të përmbysur këtë regjim që sot është një regjim i rrezikshëm. Heqja e koalicione është shprehje e frikës që ka Rama nga humbja, por dhe një sinjal për demokratë që realisht duhet të ngrihen dhe të përmbysin këtë diktaturë”, tha ai.