”80 pemë për 80 vite çlirim”, Tirana nis sezonin e mbjelljeve. Veliaj: Të qartë në vokacionin tonë Europian
Në prag të 80-vjetorit të Çlirimit, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj së bashku me familjarë të veteranëve dhe nxënës të shkollës “Asim Vokshi”, mbollën 80 pemë të reja në Varrezat e Dëshmorëve. Kjo nismë përkon edhe me fillimin e sezonit të mbjelljeve masive nga ana e Bashkisë së Tiranës, për të shtuar sipërfaqet e gjelbra.
“Jam vërtet mirënjohës që në këtë prag festash, të festës së Pavarësisë dhe të Çlirimit, gjejmë ende energji nga brezi i tretë për të mbjellë 80 pemë në prag të 80-vjetorit të çlirimit, për të kujtuar këto 80 vite dhe për të kujtuar se Tirana ka qenë kryeqyteti i vetëm i çliruar nga forcat e veta. Jam mirënjohës për të gjithë brezin e gjyshërve tanë”, tha Veliaj. Ai nënvizoi se Shqipëria është e qartë në aspiratat e saj europiane.
”Kombet që nuk dinë nga kanë ardhur, nuk dinë as ku po shkojnë. Fakti që edhe kryeministri dhe gjithë qeveria ka këtë vokacion për të qenë drejt BE, do të thotë se jemi shumë të qartë ku po shkojmë sepse kemi qenë të qartë edhe para 80 vitesh. Kemi qenë të qartë edhe para 112 vitesh, kur u shpall Pavarësia, se aspirata e Shqipërisë ishte futja në familjen europiane të kombeve. Më vjen mirë që sot mbjellim këto 80 pemë, dhe ajo që më gëzon më shumë është se i mbjellim me nxënësit dhe nxënëset e “Asim Vokshit”, shkollës së Gjuhëve të Huaja. Është një shkollë për Shqipërinë moderne kur ne na duhen ciceronë, rrëfimtarë, përkthyes, interpretë për BE, për turizmin, për këtë bum që po kalon sot Tirana e hapur ndaj botës”, deklaroi ai.
Me mbjelljen e pemëve në këtë periudhë ideale për shkak të shirave sezonalë, Bashkia e Tiranës ka nisur fushatën e përvitshme që synon krijimin e më shumë hapësirave të gjelbra për një qytet më të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm.
”Më vjen mirë që sot bashkuam dy breza dhe filluam masivisht fushatën e mbjelljeve. Kemi pritur sa të fillojnë shirat dhe toka të jetë me lagështirë mjaftueshëm, që të jetë ideale për mbjelljet. Nga tani nuk do i ndahemi lopatës. Por, kur ka edhe kuptim, kur ka edhe simbolikë, dhe kur shikojmë që të dy brezat përqafojnë njeri-tjetrin, është një gëzim i jashtëzakonshëm. Qofshin të paharruar dëshmorët tanë. Më vjen mirë që me këto 80 pemë sot lamë një shenjë për të thënë se nuk harrojmë, se kujtojmë dhe se do përulemi gjithmonë me respekt”, deklaroi Veliaj. Me rastin e festave të 28-29 nëntorit Bashkia e Tiranës ka përgatitur një axhendë të ngjeshur me aktivitete të shumta social kulturore.