824 konkurrentë testohen për t’u pranuar në Polici, Balla: Një detyrë e rëndësishme publike, shumë sfiduese

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ndoqi nga afër testin e përgjithshëm me shkrim, të aplikantëve të rinj për t’u pranuar në kursin “Patrullë e Përgjithshme”. Këtë vit, numri i përgjithshëm i aplikantëve ishte 824 djem dhe vajza, prej të cilëve 400 do të përzgjidhen.

Drejtori i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku tha se procesi monitorohet nga Drejtoria e Standardeve dhe AMP me një plan masash të veçanta. Ai sqaroi se pas përfundimit të këtij testimi me shkrim, kandidatët do të duhet të kalojnë edhe një sërë provimesh të tjera pasuese, që janë testimi fizik, intervista me gojë, testimi psikologjik, ai mjekësor dhe duke u mbyllur cikli me vlerësimin përfundimtar të besueshmërisë së personit, pra pranimit në Akademinë e Sigurisë.

Ministri Balla u interesua për gjithë procesin e aplikimit të kandidatëve të rinj dhe masave që janë marrë për sigurinë e gjithë fazave të testimit.

“824 konkurrentë nga e gjithë Shqipëria merren në provim për t’u pranuar në Policinë e Shtetit-Patrullë e Përgjithshme. Duke u bërë oficer policie keni mundësinë të zhvilloheni profesionalisht dhe personalisht si dhe të bëni diferencë pozitive në komunitetin tuaj. Ju do të mbroni rendin publik, parandaloni dhe hetoni krimin. Një detyrë e rëndësishme publike, shumë sfiduese, e cila ju jep mundësinë të shikoni impaktin direkt të punës tuaj”, u shpreh ministri Balla.

SHKARKO APP