84 votat që duan ligjet e qeverisë, Bardhi-Ramës: I japim vetëm nëse ka transparencë
Të hënën e 15 janarit, rifillon jeta parlamentare dhe socialistët e demokratët do të duhet të gjejë gjuhën e përbashkët për të miratuar ligjet me shumicë të cilësuar. Të gjitha ligjet bllokuara kërkojnë 84 vota.
Gjueti shtrigash për të blerë vota të deputetëve, e cilësoi kreu i grupit parlamentar të demokratëve Gazment Bardhi porosinë që kryeministri Edi Rama u dha të vetëve nga Shëngjini për të komunikuar me opozitën sa i përket miratimit në Kuvend të ligjeve që kërkojnë 84 vota.
Edi Ramës ia bëri të qartë se kartonin jeshil demokratët e rreshtuar krah tij do ta ngrinë vetëm nëse ligjet i nënshtrohen proceseve transparente dhe kalojnë mbi bazën e dialogut e konsensusit me opozitën.
“Gjueti shtrigash në një proces të shëmtuar të blerjes dhe shitjes së deputetëve, opozita nuk është përfshirë dhe nuk do të përfshihet, ndërsa në procese që kanë në themel të tyre transparencën dhe dialog të sinqertë mes palëve politike, do të jemi gjithmonë gati”,-tha Bardhi.
Pushimet e gjata nuk e kanë ndryshuar qasjen mes palëve. Kaosi dhe tymueset do jenë kryefjalë e punimeve të Kuvendit edhe me nisjen e sesionit të ri parlamentar, thotë Bardhi. Përsa u përket zhvillimeve në kampin opozitar, Bardhi e sheh si një hap pozitiv draftin e partive të vogla për krijimin e një konfederate, por rezervat për Bashën vijojnë të mbeten të forta.