85-vjetori i Radio Tiranës, presidenti Begaj: Promovuese e Shqipërisë dhe e potencialeve të saj

Presidenti Bajram Begaj mori pjesë sot në ceremoninë e kremtimit të 85-vjetorit të Radio Tiranës. Kreu i shtetit vlerësoi zërat që kanë informuar shqiptarët përmes Radio Tiranës dhe figurat e gazetarisë që kontribuan ndër vite në ngritjen e radiofonisë shqiptare. Presidenti vlerësoi kontributin për mbajtjen gjallë të lidhjeve me bashkatdhetarët jashtë vendit, të gjuhës shqipe, të patriotizmit dhe njohjes ndërkombëtare të Shqipërisë.

“Radio Tirana me programet e saj për bashkatdhetarët ishte mundësia e vetme e mbajtjes së kontakteve me shqiptarët në trojet e tyre në ish-Jugosllavi. Radio Tirana ishte i vetmi burim informacioni në gjuhën shqipe për ta. Roli i saj në vitet 1980, me fillimin e protestave në Kosovë, ishte shumë i rëndësishëm për informimin e shqiptarëve në ish-Jugosllavi”, tha Begaj.

“Ajo ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm në unifikimin e gjuhës shqipe ndër shqiptarë brenda dhe jashtë vendit, sikurse edhe në ruajtjen e pastërtisë së saj. Ruajtja dhe lëvrimi i gjuhës shqipe ka qenë dhe mbetet thelbësore për identitetin tonë”, u shpreh Begaj.

“Duke qenë një ndër radiot e pakta që transmeton në disa gjuhë të huaja, ajo është, gjithashtu, një promovuese e Shqipërisë dhe e potencialeve të saj. Ky institucion mediatik e ka nisur transmetimin më 28 nëntor 1938 si radioja e parë në Shqipëri. Përgjatë këtyre viteve, Radio Tirana ka kaluar një seri peripecish, si: pushtimin italian, pushtimin gjerman dhe regjimin diktatorial, deri kur pas viteve ’90 u shndërrua në një media të lirë”, tha Begaj.

 

SHKARKO APP