A do të ndërtojë NATO bazë detare në Shqipëri?
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, tha se aktualisht Aleanca e Atlantikut të Veriut nuk ka një projekt për të ndërtuar një bazë detare në Shqipëri, por shtoi se çështja do të diskutohet dhe do të merret një vendim.
Disa ditë më parë, ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka përmes një letre zyrtare e ka prezantuar komandantin e Komandës Supreme për Europën, gjeneralin amerikan Tod D. Wolters me planin e qeverisë shqiptare për modernizimin e bazës detare të Pashalimanit, me qëllim përdorimin e saj nga Aleanca. Xhaçka ka shprehur gatishmërinë e palës shqiptare për hartimin dhe zbatimin e një plani të përbashkët me NATO- n për zhvillimin e mëtejshëm të bazës detare, konform standardeve të Aleancës së Atlantikut të Veriut.
Stoltenberg, i pyetur për këtë çështje gjatë një konference të përbashkët për shtyp me Presidentin e Ilir Meta në Bruksel, tha se “kërkesa që na është bërë është e rëndësishme për Shqipërinë, por edhe për NATO-n. Ne kemi një program aktualisht që po punojmë për një bazë në Shqipëri (Baza ajrore e Kuçovës). Për momentin nuk kemi një projekt për një bazë detare, por do të diskutohet dhe do të merren vendime.”
Presidenti Meta nga ana e tij tha se ka “folur me Sekretarin e Përgjithshëm për vazhdimësinë e zgjerimit të BE në rajon, sepse NATO dhe BE janë të lidhura për shkak të qëllimeve dhe natyrisht kemi shprehur pakënaqësinë për mungesën e vendimit për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Jemi të vendosur të dyfishojmë përpjekjet tona në këtë drejtim.”