A është media në shërbim të pronarëve të tyre?

Blendi Fevziu ishte i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ku foli për median dhe kapjen e saj nga politika.

Ylli Rakipi e pyeti Fevziun lidhur me mënyrën si funksionon media dhe funksionin e saj në interes të pronarëve. Fevziu deklaroi se media ka mëkate por problemi nuk duhet parë te media.

Pjesë nga biseda:

Ylli Rakipi: Mediat udhëhiqen nga interesat e pronarëve të tyre, ju e pranoni këtë gjë?

Blendi Fevziu: Jo nuk e di këtë. Media ka një mijë e një mëkate. Po ku jeton kjo media? Po biznesi si është? Po politika?

Ylli Rakipi: Po njëlloj janë.

Blendi Fevziu: Po kush e ka deformuar?

Ylli Rakipi: Politika.

Blendi Fevziu: Erdhën katër përfaqësues aty dhe nuk folën asgjë për Ramën dhe Berishën, por për median. Kjo është dritëngushtësi e njerëzve që duan të jenë në qendër të vëmendjes. Medias i ka rënë audienca.

Ylli Rakipi: Po sepse nuk është në interes të publikut.

Blendi Fevziu: Jo nuk ka interes politika. Sot nuk është media problemi kryesor i këtij vendi.

Ylli Rakipi: Po diskutojmë sot për këtë gjë.

Blendi Fevziu: Nuk bëj analizë per median sot, është histori e gjatë. Nëse ti si Ylli Rakipi që më njeh, që e di që shkruaj dhe udhëtoj, nëse mendon se marr urdhëra dhe bëj gjëra për interes të të tjerëve…

Ylli Rakipi: Edhe sikur të ishte kështu nuk kam të drejtë të të vë ty nën akuzë. Ne duhet të jemi në rregull me veten. E keqja e këtij vendi nuk jemi ne, por nëse ne hedhim një vështrim të thjeshtë, përmende kohën kur nuk kishte media sociale, aty kishte një mëkat, ishim të frontuar, siç vinim nga një shoqëri e mbyllur. Iku kjo kohë dhe mbaroi. Pas vitit 2010, ndodhi një gjë e tmerrshme, pronarët u bënë njerëz që duhet të nxirrnin fitime. Ti e ke ndeshur këtë gjë, por nuk është se ta thonë ty. Nuk je ti përgjegjës, por ti i ikën bisedës.

Blendi Fevziu: Nuk sulmoj njerëz me emër unë.

Ylli Rakipi: Klan, Top Channel, News 24 apo MCN, nuk janë njerëz janë televizione.

Blendi Fevziu: Ajo matet me emisione dhe jo me televizione. Ty të llogarisin si Ylli Rakipi dhe jo si MCN. Po kështu edhe mua. Integriteti është personal. Sa herë ke ikur ti nga televizionet? Ka dalë njeri në solidaritet?

Ylli Rakipi: Po, Bushati.

Blendi Fevziu: Po të tjerët?

Ylli Rakipi: Jo, jo, se ata janë të frontuar.

Blendi Fevziu: Po ta mbyll unë, mendon se do të thoshte njeri bravo se bëri gjest dinjitoz, për lirinë e shtypit? Jo nuk ka. Kjo është një shoqëri, ku jam kundër kolektivitetit, përgjegjësia është individuale. 30 vjet përpara kemi bërë kauzë të tilla, mbanim qëndrime.

SHKARKO APP