A mjaftojnë 1170 doza? Vasili: Një komedi! Kemi arritur në pikën kur bëhen 15 vaksina në ditë
Nënkryetari i LSI, Petrit Vasili ka qenë i ftuar në RTV Ora ku ka komentuar mbërritjen e 1170 dozave të tjera të vaksinave anticovid.
Vasili ka thënë se vendi ka mbërritur në pikën ku bëhen 15 vaksina në ditë, në një kohë që sipas tij do duhen dhjetëra vjet që të mbarojë si proces.
Vasili: Unë kam bërë një parashikim që do të duheshin disa dhjetëra vjet për vaksinimin, por ju patë edhe një komedi. 970 vaksinat që erdhën nuk kanë mbaruar së aplikuari dhe u bënë 21 ditë që është vaksinuar kryeministri. I ka ardhur radha që të vaksinohet sërish. Ka arritur që bëhen 15 vaksina në ditë. Në Shqipëri kemi 900 e disa të infektuar zyrtarë, jo realë, sepse numri real është më shumë se kaq. Pra kemi një situatë dramatike, numri i vdekjeve që rritet, përqindjet e vdekjeve shumë të larta. Nga mesatarja me vitet e tjera kemi rritje me 6000 vdekje.
A ju bën përshtypje fotoja e kryeministrit që tregon shollën e këpucës?
Vasili: Që të jem i sinqertë Edi Rama gjithmonë u ka treguar shollën e këpucëve shqiptarëve, sepse në 8 vjet që është kryeministër, iu sfidoj që të numëroni 8 arritje të tijat. Ju nuk do të numëroni qoftë edhe një të vetme. Koncesionet një supervjedhje, dëmin e të cilës do ta paguajmë për një kohë shumë të gjatë. Bëhet fjalë për miliarda. Pra një njeri që nuk numëron asnjë arritje u ka treguar shollën shqiptarëve.
Nënkryetari i LSI, Petrit Vasili për RTV Or ka thënë se partitë opozitare po vëzhgojnë kandidatët e mundshëm për deputetë në lidhje me cilësitë e tyre.
Vasili ka thënë se lista është e gjatë, por do të kalojnë në një test për komunikimin me njerëzit, ndërkohë që shton se LSI ka intensitet të lartë të punës në terren.
Vasili: Ne si LSI nuk kemi çuar listë kurrë në minutën e fundit, por partitë përpiqen të masin terrenin. Lista po bëhet në proces e sipër, ka një masë të madhe kandidatësh që konkludohet që këta janë njerëz që komunikojnë mirë me elektoratin, janë veshëmprehtë për të dëgjuar se çfarë thuhet, janë komunikues të mirë.
Ne nuk kemi shkolla të mëdha politike që përgatisin politikanë. Pra është një test se si përballohet raporti me njerëzit e thjeshtë. Kjo është një kohë që ne përdorim, fushata është një kohë që edhe ne e përdorim për të parë se si njerëzit e një force politike arrijnë të komunikojnë dhe të bëhen më të besueshëm. Një gjë iu garantoj që LSI nuk do të çojë listë në minutën e fundit, siç nuk ka ndodhur kurrë. Por akoma një kohë të çmuar do ta përdorim që ekipi të jetë vërtetë i mirë. Për intensitetin e punës në terren, besoj LSI nuk ka rivalë në këtë drejtim. Kjo është në të mirë në krijimin e frymës opozitare gjithmonë e më aktive dhe të vërtetë. Hapa të mëdhenj të opozitës janë qoftë programi i LSI, qoftë edhe i PD, i japin pamjen se si do të dalim nga situata. Ndërkohë që këtej kemi shollën e këpucës dhe një tepsi e kusi si përherë.