Abazi: PS është një makineri, anëtarëve të saj nuk i ka mbetur më asnjë vlerë përbashkuese

Në garën e 25 prillit, ishte edhe Boiken Abazi i Lëvizjes Vetëvendosje, i cili nuk arriti që të siguronte mandatin si deputet, në një konferencë për shtyp, tha se do ta çojnë dei në fund betejën ligjore të nisur për shkak të fakteve dhe vjedhjeve të konstatuara gjatë procesit të votimit. Po ashtu Abazi u shpreh se modeli që ka instaluar PS-ja te qytetarët është një model frike i cili duhet të refuzohet, dhe se PS-ja është një makineri e cila nuk frymëzon dhe anëtarëve të saj nuk i ka mbetur më asnjë vlerë përbashkuese.

”Ndryshimet e mëdha në Shqipëri nuk mund të realizohen nga subjektet e vjetra politike, zgjedhjet e fundit e dëshmuan këtë. Pushteti ka mbjellë gjatë gjithë kohës frikë dhe nuk ka lënë mjet pa përdorur sepse në Shqipëri është instaluar autoritarizmi elektoral. Ndryshimet e fundit në Kodin Zgjedhor nga ky pushtet vetëm sa e kanë përkeqësuar situatën.

Ky lloj autoritarizmi ka nisur që në vitin 2008, kur në atë kohë u ndryshua Kodi Zgjedhor nga Partia Demokrate dhe Partia Socialiste bashkë për të eleminuar alternativat e reja në Shqipëri. Edhe pse nuk mban përgjegjësinë kryesore në këtë situatë, opozita është pjesë e problemit. Kryeministri Rama tha dje se PS është një makineri, unë deri diku pajtohem me këtë konstatim. PS është thjesht dhe vetëm një makineri, ajo nuk frymëzon, anëtarëve të PS nuk i ka mbetur më asnjë vlerë përbashkuese.

Modeli i instaluar nga Edi Rama synon të shndërrojë anëtarët e PS në dado, bulona në pistona apo në sedilje. Modeli i instaluar nga Edi Rama është që qytetari nuk vepron mbi vlera dhe parime. Ne e refuzojmë këtë model. I bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që të veprojnë bazuar mbi ndërgjegjen e tyre.

Ne duhet të çojmë betejën ligjore deri në fund, për shkak të fakteve dhe vjedhjeve që kemi grumbulluar dhe manipulimin e votës. Një pjesë të këtyre fakteve i kemi bërë publike ditën e hënë kur sapo kishte nisur procesi i numërimit”.

SHKARKO APP