Abruzzo , Itali.Rama: Vazhdon kthesa drejt rritjes së investimeve

 

Kryeministri Edi Rama ka nisur një vizitë dy ditore në shtetin fqinj, Itali. Kryeministri është mirëpritur në rajonin e Abruzzo-s nga Kryetari i Bashkisë dhe i është përgjigjur interesit mediatik lidhur me vizitën e tij në këtë rajon. Më rëndësi të veçantë ishte takimi që Kryeministri zhvilloi me sipërmarrës të këtij rajoni. Ky takim u zhvillua në vijim të takimeve me sipërmarrës të disa rajoneve të Italisë, për të promovuar potencialet e Shqipërisë dhe kornizën e favorshme fiskale për të investuar.  

Italia është partneri i parë tregtar i Shqipërisë dhe investitori kryesor për numrin e firmave që operojnë në vend, me kompani aktive në sektorë të ndryshëm të ekonomisë si të energjisë, ndërtimit, infrastrukturës, tekstiles, këpucëve dhe agrobiznesit. Kohët e fundit, tha Kryeministri, është rritur interesi i biznesit italian për Shqipërinë, sikundër një numër gjithnjë në rritje sipërmarrësish vijnë kontaktojnë dhe shohin mundësitë që ofron Shqipëria.

“Sipërmarrësit italianë që vijnë në Shqipëri kthehen të joshur nga mundësitë për t’u rikthyer e për të investuar direkt,” – u shpreh Kryeministri.  

Zbatimi i reformave ekonomike është angazhimi kryesor i qeverisë, me qëllimin përfundimtar, integrimin në BE. Qeveria, nënvizoi Kryeministri, ka iniciuar një proces të gjerë reformash strukturore dhe fiskale, që kanë krijuar një klimë pozitive dhe të favorshme për investime.   

 

“Ne kemi ndërmarrë një proces reformash strukturore dhe ekonomike, që është edhe angazhimin kryesor të qeverisë sonë. Sigurisht, me objektivin prioritar për të integruar vendin tonë në Bashkimin Europian, pa asnjë dyshim ne kemi me objektivin strategjik të rigjallërojmë ekonominë e vendit dhe të riforcojmë aspektin social të saj.  Për këtë, ne kemi marrë disa masa të rëndësishme legjislative. Momentalisht, jemi duke diskutuar në parlament ligjin e ri për investimet e strategjike, ligjin e ri për turizmin, një ligj të ri për partneritetin publik privat, të cilit duam t’i japim një theks më të fortë. Po ashtu kemi përcaktuar edhe disa zona të lira ekonomike, si dhe një numër privatizimesh të rëndësishme. Nga ana tjetër, politika jonë fiskale është ngushtësisht e lidhur me objektivin për të tërhequr investitorët e huaj dhe për të inkurajuar sipërmarrësit tanë. P.sh tatimfitimi tek ne është vetëm 15%, që do të thotë që të gjitha sipërmarrjet paguajnë 15%, pavarësisht sa ato fitojnë. Pra, nuk kemi një taksim progresiv, si këtu në Itali. Ky 15 përqindësh është i vetmi tatim mbi sipërmarrjen,” – u shpreh Kryeministri.

Kryeministri Rama gjatë këtij bashkëbisedimi të hapur dhe intensiv ftoi sipërmarrësit e këtij rajoni të vizitojnë Shqipërinë. Në përgjigje të interesit të tyre Kryeministri i ftoi të shohin nga afër mundësitë për investime në energjinë e rinovueshme, në manifakturë, bujqësi, turizëm, sektorin minerar dhe sektori ICT, të cilat janë fusha me potenciale të larta zhvillimi në vendin tonë.

***

Gjatë vizitës në Abruzzo, Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me  autoritetet  më të larta shtetërore të këtij rajoni. Ky takim u çel nga Presidenti i rajonit të Abruzzo-s. Në takim u shkëmbyen ide mbi mundësitë dhe hapësirat e një bashkëpunimi më aktiv.  Midis Shqipërisë dhe Italisë, Kryeministri nënvizoi se ka vend për ta thelluar bashkëpunimin që shtrihet nga energjia e deri tek bujqësia. Një fushë që ka vëmendjen e lartë të qeverisë shqiptare, tha Kryeministri, është ajo e energjisë. Në qasjen e qeverisë shqiptare, gazsjellësi TransAdriatik përbën një projekt strategjik.   

“Makrorajoni është një ide strategjike për gjithë këtë zonë dhe një ide alternative. Ne jemi pjesë edhe e projektit madhor energjetik, gazsjellësit TransAdriatik, që është një projekt strategjik për ne, për Italinë dhe padyshim, edhe për më gjerë. Besojmë shumë tek ky projekt, i cili po bëhet edhe më i qartë në kontekstin e ri gjeopolitik, sidomos pas vendimit të Rusisë për të anuluar gazsjellësin SouthStream. TAP është një projekt plotësisht në përputhje me direktivat e Komunitetit Europian të Energjisë dhe BE-së. Ne e mbështesim fuqimisht si një projekt për paqen dhe sigurinë,” – u shpreh Kryeministri.

Në nivelin energjetik, një tjetër projekt me interes të lartë për Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor është projekti Adriatiko-Jonian.

“Me të njëjtin vullnet jemi angazhuar edhe në projektin Adriatiko-Jonian, si pjesë e projektit të madh të TAP. Ky projekt është i rëndësishëm jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Kroacinë, Malin e Zi dhe Bosnje Hercegovinën dhe ndoshta edhe për Serbinë,” – u shpreh Kryeministri.

Kryeministri Rama theksoi se partneriteti mes dy vendeve duhet të ngrihet mbi një plan strategjik. Këtij synimi do t’i shërbejë organizimi së shpejti i Samitit të parë Ndërqeveritar.

“Duke pasur parasysh këtë partneritet strategjik mes dy vendeve tona, marrëdhëniet tona preferenciale dhe ekskluzive, ashtu si dhe nevojën për ta sjellë bashkëpunimin mes nesh në një nivel edhe më të lartë, ne mendojmë që së shpejti të organizojmë Samitin e parë Ndërqeveritar, për të evidentuar të gjithë këtë plan të madh strategjik. Nga ana tjetër, unë gjendem sot këtu, shpresëplotë dhe i vendosur për të thelluar bashkëpunimin me sipërmarrësit e këtij rajoni. Për ne, sipërmarrja italiane ka një rëndësi strategjike për shumë arsye, jo vetëm për afërsinë gjeografike, por edhe për afërsinë kulturore”- tha Kryeministri. 

Protokolli për Bashkëpunim për Zhvillim 2014-2016, prej më shumë se 80 milion euro, ndërmjet dy vendeve është treguesi më i mirë i marrëdhënieve të shkëlqyera dhe vazhdimit të angazhimit italian në Shqipëri.

SHKARKO APP