Afati i reformës, eksperti PD: Të mos nxitojmë
Partia Demokratike kërkon që të mos nxitohet me reformën në drejtësi për të përmbushur afatin e caktuar, datën 12 janar.
Në studion e lajmeve të Ora News, eksperti i PD, Gazmend Bardhi tha se komisioni do të punojë ditë e natë për të hartuar draftin, por pa bërë gabime për hir të këtij afati.
Ndërkohë Bardhi ka paralajmëruar se çdo devijim i mazhorancës nga opioninet e Komisionit të Venecias, do ta çojë punën e komisionit në pikën zero.
Gazmend Bardhi: “Mesa kemi dëgjuar ka një tentativë për ta përmbyllur procesin me datë 12 janar pra vetëm pas 3 ditësh, me qëllim që të mblidhet Komisioni i Posaçëm parlamentar i cili në gjykimin tim nuk mund të mblidhet dot sepse kuvendi nuk ka nisur akoma sesionin e ri parlamentar.Pretendohet që në 12 janar të jetë gati drafti, këto janë afatet që i ka vendosur vetes mazhoranca. Ne do të punojmë në mënyrë intensive, do t’i përgjigjemi çdo kërkese për mbledhje. Kemi propozuar ta nisnim punën që në 2 janar të 2016-ës , na u tha duam ca ditë pushim dhe e nisëm në datë 4. Ne jemi në dispozicion për të kontribuar për realizimin e reformës në drejtësi në çdo moment të ditës dhe të natës. Do të jemi në punë për të përmbyllur draftin.Nëse do arrihet të përmbyllet në datën 12 janar është gjë shumë pozitive por unë gjykoj që koha nuk duhet të na nxitojë për të dhënë zgjidhje të gabuara. Duhet të udhëhiqemi nga parimi për të bërë një punë të mirë dhe jo një punë në një kohë të shpejtë.”
KOHA JONË SONDAZH

