Afera korruptive me terminalin e kontenierëve në Portin e Durrësit, PD i kërkon SPAK të hetojë se kush fshihet pas kompanisë offshore

Partia Demokratike e cilëson aferë korruptive koncesionin e dhënë nga qeveria “Rama” për terminalin e kontenierëve në Portin e Durrësit.

Lidhur me këtë, kreu i PD-së së Durrësit, Ferdinand Xhaferraj nga porti drejtoi tre pyetje për kryeministrin Edi Rama dhe i kërkoi SPAK-ut të hetojë se kush fshihet pas kompanisë offshore dhe kush janë përfituesit fundorë të konçensionit.

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, FERDINAND XHAFERRAJ

Është e disata herë që Partia Demokratike nga porti i Durrësit dhe për Portin e Durrësit ka denoncuar skandale të kësaj qeverie lidhur me këtë aferë korruptive. Porti i Durrësit është një aset ekonomik që po të shfrytëzohet si duhet mund të shërbente për të përmirësuar jetën e shumë familjeve të Durrësit dhe gjithë Shqipërisë.
Por sikurse ne kemi ekspozuar me fakte, nuk po shfrytëzohet për të përmirësuar jetën e qytetarëve por po shfrytëzohet vetëm për të pasuruar xhepat e qeveritarëve.
Kush është skandali më i fundit që ka denoncuar Partia Demokratike?
Dhënia me koncension e kësaj hapsire këtu që quhet Terminali i Kontenierëve.
Cila është historia e këtij koncensioni?
Në tetor të vitit që kalo,i Autoriteti Portual shpalli procedurat e tenderit. Në tender morën pjesë dy kompani. Njëra kompani gjermane, shumë e njohur në këtë sektor e cila menaxhon edhe Portin e Hamburgut, ndër portet më të njohura në Europa. Tjetra malteze, një kompani offshore. I vetmi fakt që dihet për këtë kompani është se një nga ish-drejtor i saj është hetuar për pastrim parash nga policia Malteze, një vend anëtar i Bashkimit Europian.
Ministria e Infrastrukturës ndërhyn, bën tender me procedura të shkurtuara, me qëllimin që fituesin e tenderit të mos e vendosi transparenca dhe konkurrenca por fituesi i tenderit të parazgjidhet ai që ka vendosur Rama Beu.
Tani që unë flas, për të gjithë qytetarët e vendit nga Veriu në Jug, i majtë apo i djathtë, me parti apo pa parti, nuk është fare e nevojshme të thuhet se cila kompani ka fituar tenderin.
Të gjithë e dini se cilën ka përzgjedhur Rama Beu. Por, doja të beja tre pyetje për z.Rama:
1. Kush e zotëron këtë kompani?
2. Ai ka detyrimin tu thotë shqiptarëve çfarë fshihet pas kësaj kompanie? Pse nuk respekton detyrimin ligjor që të tregojë kush janë përfituesit fundor të këtij koncensioni?
3. Si është e mundur që ky aset i sigurisë kombëtare ti jepet një kompanie që nuk i dihen pronarët?

Është e natyrshme që askush nuk pret përgjigje nga z.Rama edhe për këto dy muaj, se ai nuk ka dhënë përgjigje për 8 vjet. Por ne presim përgjigje nga SPAK-u.
Çdo qytetar i këtij e ka të qartë që dita e ndëshkimit për këtë grup të papërgjegjshëm, të korruptuar dhe arrogant po afron.
Për çdo qytetar është e qartë, që dita që këta do të shporren nga zyrat e shtetit po afron.
Për çdo qytetar është e qartë që jo vetëm po afron dita që këta do të shporren nga zyrat e shtetit, por po afron edhe dita që këta do të përballen në zyrat e drejtësisë.

SHKARKO APP