Agron Duka: Ka zëra se Vangjush Dako e cakton vetë kundërshtarin. A është Basha pjesë?

 

“Ka zëra, ka njerëz që besohet se bëjnë pazare që unë të mos jem kandidati. Unë nuk e mendoja se mund të ekzistonin njerëz të tillë. Por, në të djathtën ka në përgjithësi një mendim të tillë. Ka sekserë, ka njerëz që bëjnë lëvizje të tilla dhe gjejnë metoda të ndryshme, në bazë të përfitimeve ekonomike të përcjellin mendime negative, të helmojnë kandidatura të ndryshme për të cilat ata nuk duan t’i kenë përballë. Shumë demokratë më kanë çuar mesazhe në celular dhe në rrjetin social Facebook, shoh që ka një mendim të tillë”.

Kjo është deklarata e bërë nga deputeti republikan Agron Duka, i cili hedh hije dyshimi për një manipulim të procesit të kandidimit të tij në Durrës, pasi, siç shprehet ai për median, ka qenë vetë kreu i PD Lulzim Basha i cili e ka kontaktuar dhe i ka thënë se ka pasur një perceptim shumë të mirë në sondazhet e kryera nga PD për emrin e tij në qytetin e Durrësit.

Duka shkon dhe më tej kur thotë: “Ka zëra që thonë se Vangjush Dako mundohet të prodhojë kundërshtarin e vet politik. Kjo nuk do të thotë se është vetë Basha, sepse nuk ka mundësi, por nëpërmjet këtyre sekserëve bën propagandë dhe krijon përshtypje, imazhe të pavërteta me qëllimin e vetëm që këto imazhe, këto të pavërteta të ndikojnë në marrjen e vendimeve. Kjo është ideja. Të gjithë këtë histori unë e kam krahasuar me një ndeshje futbolli, ku ka raste kur ndeshjet trukohen”.

Agron Duka thotë se janë bërë katër sondazhe, dhe në të gjitha, qoftë ato të bëra nga PD apo edhe nga PR, Duka rezulton fitues. “Sondazhet nuk janë realiteti, por janë një tregues. Nuk duhet të ketë fshehje të së vërtetës” tha Duka, i cili ndërkohë akuzon PD, se nuk po ulet me aleatin kryesor të saj në opozitë për të arritur në një marrëveshje paraelektorale zgjedhore.

SHKARKO APP