Agron Duka: Mbështes Grida Dumën
Deputeti republikan, Agron Duka, i përfolur si kandidat për Bashkinë e Durrësit, në një intervistë për revistën JAVA, flet për zgjedhjen e Grida Dumës si kandidate e opozitës.
I pyetur se a nuk kishte zgjidhje më të mirë në Durrës, përveç ‘importimit’ të Grida Dumës, ai thotë: “Në Durrës nuk mungojnë figurat si në gjirin e së djathtës, edhe nga shoqëria civile, por në situatën e krijuar, mendoj se kandidatura e zonjës Duma është absolutisht më e mira. Kjo për faktin se ajo është një figurë politike shumë e njohur e PD-së dhe për pasojë do të sjellë bashkimin e të gjithë faktorëve brenda saj, përveç kësaj ajo është një vajzë durrsake dhe nuk është “importi”. Familja e zonjës Duma është një nga familjet më të njohura dhe më të vjetra të Durrësit, krahasuar kjo edhe me kundërshtarin politik. Unë mendoj se të qenit grua, si dhe ndikimi familjar, do të bëjë që ajo të ketë përkrahje masive nga gjinia femërore dhe shtresa gri, si edhe një sasi të konsiderueshme votash të majta anti-Dako”.
Duka ka mohuar zërat se nuk është i impenjuar sa duhet për të nxitur përkrahësit e tij që të mbështesin Dumën.
“Unë do luftoj dhe do gëzohem njësoj me fitoren e Bashkisë, sa edhe zonja Duma” tha ai.