Agron Duka: Me se t’i motivonte njerëzit Grida, tjetri përballë blinte gjithçka!

Në shtator e djathta do të zhvillojë analizën e humbjes për zgjedhjet lokale të 21 qershorit, ndërsa deputeti i Qarkut të Durrësit, që përfaqëson Partinë Republikane, Agron Duka, thekson se do të jetë pjesëmarrës  në këtë analizë për të dhënë mendimet e tij mbi shkaqet e humbjes. Duke humbjen e cilësoi të pashmangshme, për shkak të rolit abuziv që luajti qeveria me qëllimin e vetëm  që të fitonin medoemos kandidatët e majtë.     

“Do të bëj publike para deputetëve demokratë sesi janë blerë votat dhe janë fituar zgjedhjet me presion për pushim nga puna,” – thekson Agron  Duka.

Sipas Dukës, kësaj fushate ku qeveria përdori të gjitha mjetet në Durrës për të nxjerrë fitues Vangjush Dakon, nuk i bënte ballë askush, sigurisht as kandidatja e djathtë Grida Duma, për të cilën thotë se bëri një fushatë të shkëlqyer.    

“Por të fitonte Vangjush Dako me të gjitha ato dëme që i ka shkaktuar Durrësit, kjo është çudia më e madhe, dhe kjo ndodh vetëm në Shqipëri” – theksoi Duka. – “Por me se t’i motivonte njerëzit Duma, kur tjetri përballë blinte gjithçka,” – theksoi ish-ministri socialist, tashmë deputet i së djathtës, Agron Duka, i cili ishte gjithashtu një kandidat potencial nga e djathta para zgjedhjeve për kreun e Bashkisë Durrës. 

SHKARKO APP