Agron Duka për “KJ”: Rama po luan me Kodin Penal për represion, por edhe për të krijuar debat dhe larguar vëmendjen nga ekonomia
Prononcim i Agron Dukës, kryetar i PAA për “KOHA JONE”:
Pyetje 1: Vendimi i Ramës për të ndryshuar KODIN PENAL a mendoni se ai po e bën për ti dalë para me dënime të rënda kur popullit t’i ketë arritur shpirti aty ku nuk mban më dhe do të dalë në protesta rrugëve duke mos qëndruar më mbyllur në shtëpi?
Sigurisht që ky ndryshim i beftë i Kodit Penal përfaqëson një nga ato aspektet negative që janë shfaqur nga kjo mazhorancë përpara ardhjes së COVID-19. Pra legjislacion agresiv, monopartiak dhe në shkelje të të drejtave të njëriut dhe të Kushtetutës. Duke qenë i tillë, ne duhet të kemi parasysh faktin që me shumë gjasa këto ndryshime do të hidhen poshtë nga Presidenti dhe, më vonë nga Komisioni i Venecias, i cili për momentin po luan rolin e Gjykatës Kushtetuese. E gjithë kjo procedurë e mësipërme kërkon kohë, le të themi, përtej 15-20 majit. Nëse në këtë jemi duke dalë nga faza më e rëndë, dhe sot jemi në hyrje të dhjetëditëshit të dytë të prillit, pyetja që lind është: Për çfarë shërbejnë këto masa antikushtetuese kur në miratimin e tyre nuk do të jemi në gjendjen e fatkeqësisë natyrore? Unë një përgjigje e kam. Mendoj se ky është një debat i konceptuar enkas për të mbajtur në plan të dytë pikën më jetike, ekonominë. Ndërsa në të gjitha vendet e rajonit flitet për ekonomi dhe mbështetje ndaj qytetarëve dhe sipërmarrjeve, këtu flasim për burg, sepse nuk kanë një vizion të qartë për ekonominë. Kjo është thembra e Akilit e çdo shteti apo kryeministri, sado të fuqishëm ta pandehë veten politikisht. Kur qytetarët kanë xhepin dhe frigoriferin bosh, nuk kanë kohë për llafe dhe as frikë nga iniciativat ligjore të një parlamenti gjysmak.
Pyetje 2: Po nëse kryeministri Rama vendos nga Surreli që të mos zhvillohen zgjedhjet parlamentare të radhës me pretekstin se “ vazhdon pandemia koronavirus”, çfarë do bëjë opozita?
Sa për pyetjen e dytë, gjykoj se ky moment nuk do të vijë, sepse Franca, në mesin e krizës së COVID-19, mbajti zgjedhje. Ndërsa ne i kemi të parashikuara për verën tjetër, kur virusi të jetë një histori e shkuar. Pra jam i bindur që kjo nuk do të ndodhë, madje sapo të normalizohet situata nga pikëpamja politike, është e nevojshme që të kemi zgjedhje sa më parë dhe një parlament funksional dhe përfaqësues, i cili do të ketë përballë sfidën e vështirë e krijimit të një perspektive të qëndrueshme për vitet që do të ndjekin fundin e kësaj krize shëndetësore, humanitare dhe ekonomike.
KOHA JONË SONDAZH

