Agron Gjekmarkaj: Akuzat për Metën, për të goditur kundërshtarin. Të hapen dosjet pa përjashtim!
Nga Agron Gjekmarkaj
Nëse ke një gjë me të cilën është luajtur piset në vendin tonë janë dosjet e sigurimit të shtetit. Ato rikthehen me stinë sa herë e kërkon diskursi politik. Ato do duheshin hapur që në vitin 1992, të gjitha pa përjashtim. PD e asaj kohe kishte një super maxhorancë. Në dritën e diellit duhej të dilte e keqja e 45 viteve përtej faktit kush paguan çmim më të lartë a më të ulët. Po kaq duhej ligj për punëtorët e sigurimit të shtetit, gjithë hierarkinë e tij, hetues, prokurorë e gjyqtarë të komunizmit. Po këto nuk ndodhen! Arsyet kuptohen. Përdorimi i tyre ishte qëllimi. PS ka qenë më e ftohtë ndaj këtij fenomeni duke i konsideruar kontingjentin jo të vogël elektorat e mbështetës politikë. Të gjitha shanse të humbura. E shkuara nuk bëhet më me ndoshta e sikur. Dosjet duhen hapur, të gjitha, më mirë vonë se kurrë. Politika, administrata, diplomacia, policia, ushtria, drejtësia duhen pastruar nga bashkëpunëtorët dhe punëtorët, nga hierarkët e makinës shtypëse të regjimit. Ja ku jemi sot pas 32 vitesh dhe tema rikthehet por jo nga pozita etike. Thjesht nga pozita politike. Prej ditësh flitet për një dosje të I M. Qeveria përpiqet ta lidhe atë me emrin e ish-Presidentit Ilir Meta fakt të cilin ai e ka kundërshtuar në mënyrë energjike. Unë se di të vërtetën dhe nuk marr përsipër të bëhem zëdhënës i saj, por mosbesim kam të drejtë të kem duke gjykuar kontekstin politik kur argumenti u shfaq dhe u bë monopol i debatit publik. Ilir Meta sapo la presidencën dhe rithemeloi partinë e tij LSI në “Parti të Lirisë” duke shfaqur ambicie të madhe opozitare u përball me ketë ngjarje. Duke e konsideruar momentin “leve Arkimedi” për të goditur kundërshtarin krejt makineria e mazhorances shpërtheu në iniciativa përmes Taulant Balles e Klotilda Bushkes duke kompleksuar pjesën e deputetve që nuk i janë bashkuar “Foltores”. Ata me propozimet e tyre po duken në të njëjtën gjatësi vale me Qeverinë e cila ka ngut të shprehe kënaqësi për propozimet tona. Momenti, iniciativat dhe mënyra e sjelljes, e pamiratuar nga grupi për këtë çështje po e shfaq atë (grupin) me pa të drejtë si orkestër të qeverisë në karadyzenin e ditës. Deklaratat përqafojnë njëra -tjetrën pavarësisht nga cili kamp nisen. Ndjeshmëria e kësaj teme e vë në vështirësi një grupim të djathtë në shah-matin e përditshëm, por duhet gjetur forca për t’i ikur përdorimit i cili ka për qellim diversionin mbi opozitën. Sa për dosjet ato duhen hapur të gjitha pa përjashtim. Kjo është njëra ana, tjetra makina shtypëse e diktaturës punëtoret e saj duhen lustruar.