Agron Gjekmarkaj: Kryeministri digjet, ndërsa Niko krihet
Nga Agron Gjekmarkaj
Gazep i madh në katër anë! Zheg e sushë me tepri, të skuqet veza mbi krye. Shqipëria digjet e shumë e zgjati! Fytyra e saj duket si e ajo e personazhit te filmi “Pacienti anglez”! Njerëz të pafaj humbën jetën në përballje me to.
Morën flakë sukseset e qeverisë duke përcëlluar çfarë u del përpara, pyje, ferra, driza, kopshtije, ndonjë shqarth a dac aventurier! Çudi si nuk doli Erjon Braçe të mbajë një fjalim kërcënues ndaj zjarreve si ato ku trondit opozitën nga themelet apo ndonjë status me thagmë nga të vetët plot larushi stili, temp retorik, rafinim e taban popullor, si bir i tij, e ato do të fikeshin! As tenxhere, as bidon, as kanë, as broke, as ndonjë gotë me lot nga ato që na qullen në kronikën e shkuar, të ruajtura në thesarin e shtetit, nuk u panë të binin nga havaja ku Niko shfaqet prej ditësh si zgalem, megjithëse pesë ministresha këndonin!
Oj, oj, oj lale,
oj, oj, oj, lale,
kujtova se binte shi,
ato ishin lotët e mi.
Të poshtra shumë këto zjarret e këtij viti, po në përgjithësi këto të këtyre tetë viteve, njësoj si shiu, bora, breshëri dhe murrlani më të egrit në historinë e vatanit e njerëzimit të denja vetëm për gjoksin legjendar të Edi Ramës, qimet prej çeliku të të cilit as digjen, as hepohen, as shkrihen! Gjeto Basho Muji para tij duket si lëngaraq. Vetëm ujitja me lot sikur i zbut pak ato shigjeta fati të tërbuara.
E vetmja qe doli e pakallur me fytyrën e nxirë nga tymi ishte propaganda, ringrihet si Anteu sa herë ndesh tokën e qeverisë! U tha që balonat e blera sa frëngu pulën në Francë qenkëshin prishur veç njërës që sajdis Kryeministrin në piknikë, synetllëqe, qare, qedere e meditime që hallall e pastë.
Ai ka tetë vjet që lodhet, plaket, heq të zitë e ullirit e për ta çuar këtë vend të athët e mosmirënjohës në lartësinë e vizioneve të veta. Shëndet e qejf iu bëftë edhe aeroplani për të shëtitur botën e parë dynjallëk me sy e po kaq e gëzoftë Cugar-in e vetëm, të mbetur kuk për të bashkëbiseduar me majat e maleve, retë e qiellin, shqiponjat e albatrosët, të vetmet që e kuptojnë dhe ia dinë gjuhën bash si duhet! Tani ai me tokësorët s’ka më punë, veç lart sheh! Për t’i bërë qejfin pas shumë të luturash, i kthen xhevap Bajdenit, Merkelit, Makronit, Dragit, se të tjerët as që i vë në kandar, siç thotë njëfarë tipi përjetësisht pro-qeveritar! Ajo (propaganda) pas çdo zjarri e kiameti, rilind, behet më e re, më agresive, më e madhe, më kurajoze, ke qejf ta dëgjosh!
Ministrushat dhe ministrushet po qetoheshin ndanë detit me paparacë të porositur për të shëruar majasëllët, jelët, varriçet, celulitrat, reumatizmat, qillot e tepërta të vëna nga stresi i këtij viti e sidomos nga zgjedhjet e 25 prillit, që i vodhën me një mijë lodhje, mundime e rreziqe! Vunë kokën në torbë. Marrin bukë me vete, me ç’t’u gjendet anëve në çarranik, kund ca gjizë, qepë, djathë me erë e ndoca vezë të ziera! Ahmetaj edhe ullinj se e kap urthi dhe e kripura ia mbledh midenë. Ujë mbushin ku t’u bjerë siraja.
Ndërsa Damua u pa me një biçikletë rrugëve të Tiranës me kanotiere, e cila nuk ia pengonte hiret mashkullore të dilnin në selamet! Damos, pasi u bë i pasur, ia kanë mbushur mendjen që është edhe i bukur, jaran e ashik i vërtetë, e nuk është çudi t’i thonë qe je edhe i mençur, i kulturuar madje dhe ai të besojë e të sillet si i tillë! Dëshmitarët thanë se gjatë pedalimit këndonte “jam kapter me grada, ububu mi mome”! Ja ranë këto zjarre si nga dorë e dushmanit për t’i dëshpëruar të ngratët në ditët e rehatisë! Ndonjë thotë “katundi digjet, Rama me Nikon krihen!”.
Në Korçë mbërriti Bregoviçi, një këngëtar serb me peshë modeste përtej Serbisë, dhe të tjera zjarre u ndezën nga “kozmopolitët”, “modernët”, ata që provincializmin dhe katundarinë e kanë zët, duke këllasur me të madhe, duke u betuar në emër të qytetërimit, emancipimit, dijes së vet, ata janë fanarët e mentaliteteve të reja kundër nacionalizmave që dorë e Edi Ramës iu dha dritën! Po kaq u turrën patriotët që zjarr, shkëndija e mallkime nxirrnin nga gjyryku!
Për zgjedhjet e vjedhura me djersë të 25 prillit nuk pat kaq duele. Nga shpurat që Edi Rama pranon në oborr ka garë se kush t’i thotë “je gjigant, je i madh, je shpëtimi i Shqipërisë, je gjeni, je vizionar” dhe ai kruan mjekrën e thinjat shekullore, plotësisht i bindur se askush ne Europë nuk ka pasur sukses sa ai për t’i imponuar një populli të tërë një varg e vistër antivlerash, që pocaqiu të duket zotni me frak, që parvenytë të të tundin pasurinë e tyre si triumf e ndëshkim social për ty që ke më pak, që kopuku, doraci, zullapi të bëhet sojnik, kryetar, deputet, ndërtues, zaptues nëse të puth dorën e mbush thesin me vota! Ky është zjarri që nuk po dimë ende ta shuajmë, i cili ka djegur shumë më tepër se pishat ndër male! Uf, na rëntë damllaja, e nisëm me të qeshur e ramë në dramaticitet, po kronika jonë nuk e bën qejfin qeder, ajo e nis me qyfyre dhe e mbyll me këngë, si radioposta dikur sipas kërkesave!
“Je i madh, je burrë shteti, ty të njeh i gjithë mileti”.
Gjatë gushtit edhe ne të opozitës bëhemi melankolikë, këndojmë jare, ku vargjet me aman e derman na bien si melhem mbi xhanin plot dregëza!