Agron Gjekmarkaj: Të ndëshkohet kush prek njerëzit e medias në krye të detyrës
Komisioni i Medias nisi sot me shqetësimin e ngritur nga Kryetari i Komisionit, Agron Gjekmarkaj për dhunën shtetërore ndaj gazetarëve. Ai mori shkas nga ngjarja e rëndë ndaj gazetares Anila Hoxha dhe operatorit gjatë raportimit të lajmit për vrasjen e një biznesmeni në Tiranë në zonë e Qafë Mollës.
Agron Gjekmarkaj vuri në dukje se sulmi nga afektivët e policisë ndaj njerëzve të medias ndodhi pa arsye, ndërsa ata ishin në krye të detyrës.
“Të dënojmë këtë ngjarje të rëndë. Ne e kemi edhe në Kodin zakonor, që lajmësi është gjithmonë në besë dhe duhet të jetë gjithmonë i garantuar. Është moment i trishtuar, kur pikërisht në përpjekjen e vet për të transmetuar të vërtetën dhe për të përcjellë lajmin te shoqëria, në krye të detyrës, gazetarja sulmohet pikërisht nga ata që duhej të ishin mbrojtësit e gazetarëve, në këtë rast, një polic. Pa ngjyrime të djathtë apo të majtë, ne biem dakord që ishte një akt i shëmtuar, një akt që duhet dënuar”,- tha Gjekmarkaj.