Agron Shehaj: Do shkoj në Kuvendin e 11 dhjetorit, janë firmat e nevojshme
Deputeti i PD-së Agron Shehaj dhe ish-kandidat për kryetar i selisë blu, sot pa në zyrën e Edi Palokës firmat e anëtarëve të PD për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar më 11 dhjetor, të thirrur nga Sali Berisha.
Në një prononcim për mediat, ai tha se firmat janë të nevojshme dhe ai do të shkojë në Kuvendin e 11 dhjetorit. ”Nuk kam asnjë koment. Unë bëj detyrën time për të parë nëse janë apo jo firmat. Kush mendon se unë nuk bëj punën time atëherë është mendimi I tyre. Unë I ftoj të gjithë kushdo që do të verifikojë të vërtetën të shohë. Do shkoj në Kuvendin e datës 11 dhjetor sepse gjykova se aty ishin të gjitha firmat e nevojshme për të thirrur organin më të lartë të PD”.
Po ashtu në një status në facebook, ai shkruan se përplasja dhe përçarja në Partinë Demokratike zgjidhet vetëm përmes votës në Kuvend.
”Sot verifikova personalisht firmat e dorëzuara për mbledhjen e Kuvendit në datën 11 Dhjetor në degët 5 dhe 7 në Tiranë, ku jam drejtues politik dhe i zgjedhur. Më shumë se 56% e delegatëve të degës 7 dhe 58 % e degës 5 kanë firmosur për Kuvendin e datës 11 Dhjetor. 98% e delegatëve që kanë firmosur, me të cilët arrita të flisja, konfirmuan që kanë plotësuar formularin. Mbledhja e Kuvendit nga firmëtarët është legjitime, ndaj në respekt të vullnetit të demokratëve, do marr pjesë në Kuvend. Përplasja dhe përçarja në Partinë Demokratike zgjidhet vetëm përmes votës në Kuvend. Shmangia e ballafaqimit me anëtarët vetëm do thellojë përçarjen dhe dobësojë opozitën”.