Agron Shehaj intervistë për DW: Pa u ndëshkuar politikanët nuk ka përparim

Agron Shehaj, kandidat për kryetar të PD, thotë se në krye të PD duhet të vijnë njerëz të pakorruptuar, që të punojnë për interesin publik.

DW: Çfarë ndryshimesh do të sillni ju në drejtimin Partisë Demokratike, (PD) nëse të dielën, më 13 qershor, do të zgjidheni kryetar i saj?

Agron Shehaj: PD-ja duhet të rikthehet në vlera të tilla si demokracia e brendshme, meritokracia dhe ndershmëria.PD duhet të ketë në krye njerëz për të cilët qytetarët mendojnë se janë të pakorruptueshëm, të zotë dhe me kurajo për të punuar për interesin publik. Ndryshimi do të fillojë me vendosjen e standardit statutor që kryetarit që humbet zgjedhjet i mbaron automatikisht mandati dhe nuk mundet më të rikandidojë. Vetëm kështu kryetari i PD-së do ketë interes të luftojë për të fituar duke tërhequr njerëzit më të mirë dhe të jetë i vetëdijshëm që ka vetëm një mundësi për ta çuar Partinë Demokratike në fitore.

Ndryshimi i dytë është zgjedhja nga anëtarësia e kandidatëve për deputetë. Në zgjedhjet e kaluara anëtarët e PD u zhgënjyen pasi u ftuan të votonin një listë kandidatësh të caktuar nga lidershipi, sipas një modeli të padëgjuar në botë. Me propozimin tim anëtarësia do të vendosë cili do të jetë kandidat, vendin e kandidatëve në listë përmes votës me parimin “një anëtar, një votë”. Ndryshimi i tretë, që mendoj se është kryesori, është rikthimi i luftës kundër korrupsionit dhe kapjes së shtetit nga oligarkët si prioritet kryesor të opozitës. PD duhet të heqë dorë nga lojërat politike të pakuptimta që nuk u shërbejnë problemeve reale të shqiptarëve dhe të merret me shkakun kryesor të varfërisë që është korrupsioni.

DW: Cili është vizioni juaj për rolin që duhet të marrë PD si forca më e madhe opozitare, me 59 deputetë në Parlamentin e ri, që fillon funksionimin e tij në shtator?

Agron Shehaj: PD duhet të luftojë për të mbrojtur interesin e shqiptarëve përballë një qeverie të korruptuar dhe të inkriminuar. Lufta kundër korrupsionit, sidomos ndëshkimi i korrupsionit në nivelet më të larta të pushtetit, duhet të jetë prioriteti kryesor i PD. Pa i dhënë fund pandëshkueshmërisë së politikanëve nuk ka demokraci dhe zhvillim. Kjo duhet të jetë kauza dhe beteja e PD. Papunësia është shqetësimi kryesor i shqiptarëve dhe shkaku kryesor i papunësisë është korrupsioni dhe kapja e ekonomisë nga oligarkët.

DW: Cilat janë epërsitë tuaja në raport me kandidatët e tjerë, që po garojnë për t’u zgjedhur këtë të dielë në postin e kryetarit të PD?

Agron Shehaj: Partisë Demokratike i duhet një lider i besueshëm, i pakapur nga interesa ekonomike dhe mbi të gjitha që shqiptarët të mendojnë, se do t’u thotë jo oligarkëve dhe kompromisit me të keqen.

DW: Çfarë sinjalesh po merrni nga baza e PD dhe mbështetësit e saj në takimet që po zhvilloni me ta. A janë pro ndryshimit?

Agron Shehaj: Demokratët janë shumë të kthjellët në gjykim. Bilanci negativ 8-vjeçar në opozitë është i qartë për të gjithë. Demokratët duan jo thjesht të fitojnë, por duan një qeverisje të mirë dhe të përgjegjshme. Demokratët e dinë që nëse dikush nuk ja ka dalë një herë, dy, tre, katër nuk ka gjasa t’ia dalë herën e pestë.

DW: Cilët konsideroni aleatët tuaj në përpjekjen për të qënë në krye të PD?

Agron Shehaj: Aleatët e mi janë demokratët që nuk i druhen të vërtetës. Ata që kanë sakrifikuar dhe sot vuajnë pasojat e mungesës së përgjegjësisë së lidershipit. Ata që duan të shohin përpara, ata që nuk pranojnë vendimet e gabuara të lidershipit, ata që duan një PD meritokratike, evropiane, demokratike dhe ku promovohen më të mirët. Ata që mendojnë se PD duhet të hapet dhe bashkohet, me njerëz të rinj, që nuk i tremben talentit dhe kontributeve por që i vlerësojnë ato.

DW: A keni kundërshtarë të tjerë përveꞔ tre konkurrentëve në garën për kryetar partie?

Agron Shehaj: Zgjedhjet u imponuan pa mbaruar ende përfundimi i rezultateve zgjedhore. U la një afat kohor i pamjaftueshëm për të bërë fushatën dhe për të bashkëbiseduar me të gjithë demokratët kudo në Shqipëri. Zgjedhja e kreut të PD është momenti më i rëndësishëm, moment kyç, për demokratët ndaj kurrsesi nuk duhet të kalonte kaq shpejt, vetëm e vetëm se lidershipi nuk mban dot përgjegjësi. Sot demokratët vendosin nëse do të fitojnë apo do të humbasin në zgjedhjet e ardhshme.

DW: A po zhvillohet gara në mënyrë transparente dhe të barabartë?

Agron Shehaj: PD duhet çliruar nga praktika që kryetari është më i rëndësishëm se parimet dhe vlerat demokratike. Një nga prioritetet e mia, nëse do të fitoj besimin e demokratëve, është të vendos standardet dhe gjithë infrastrukturën e duhur për të mbajtur zgjedhje të ndershme, të lira brenda partisë, të cilat sot nuk ekzistojnë.

 

SHKARKO APP