Agron Shehaj: Oligarkët në Shqipëri caktojnë se kush do jetë ministër dhe komandojnë Ramën
A ka oligarkë Shqipëria? Palët politike janë përplasur këtë të enjte në emisionin Opinion, pas akuzave të hedhura kohët e fundit nga PD për lidhje të qeverisë me disa biznesmenë, të cilët i akuzon si oligarkë.
Sipas ish-deputetit Agron Shehaj, këta oligarkë madje vendosin edhe ministra apo detyrojnë qeverinë të bëjnë ligje për përfitime personale.
Agron Shehaj: Ka oligarkë në Shqipëri, është dikush që falë lidhjes që ka me politikën ndërton një biznes, ose që ka përfitime përmes lidhjeve me politikën. As unë as kryetari i PD-së nuk kemi thënë që kanë lindur në kohën e Edi Ramës. Oligarkët janë ata që bëjnë ligjin, vendosin ministra, komandon kryeministrin. Ka oligarkë që vendosin ministra, po po! Një parlament që mblidhet dhe voton ligjin për Teatrin është se po i bën një favor një oligarku. Ligji për Teatrin është bërë për kompaninë FUSHA, nuk e them vetëm unë por e ka thënë dhe BE. Kompania FUSHA pastaj do t’i shpërbejë kryeministrit, do blejë media për kryeministrin, do fus njerëz në punë për të. Nëse ka patur korrupsion duhet të dënohen të gjithë. Kompania FUSHA fiton vetëm tenderë, falë lidhjeve që ka me politikën fiton tenderë qindra milionë eurosh.
Këto deklarata u kundërshtuan nga ish ministri i Financave Arben Ahmetaj, i cili tha se emrat e përmendur nga PD janë emra biznesmenësh që kanë punuar prej vitesh dhe nuk kanë dalë në dritë rishtazi.
Arben Ahmetaj: Oligarkia ka dalë në shekullin e 14 në rusi, i referohet vendimmarrjes i një grupi të vogël që detyron vendimmarrjen e politikës në favor të vetvetes. Në rastin konkret ne jemi duke folur për një grup njerëzish janë njerëz që e kanë filluar biznesin në 1990. Kjo është populizëm, flet për oligarkë ndërkohë që ata janë biznesmenë që nga 1990. Janë procedura që nuk kanë ndryshuar, këta njerëz kanë kontribuar për 30 vite në ekonominë shqiptare. Merr Shefqet Kastratin, ka një jetë. Bashkim Ulaj, e kanë akuzuar për oligarkë ka një jetë që punon. Vilma Nushin, ka një jetë që punon.