Ahmetaj: Reformat garantuan 1 miliardë dollarë investime
Kuvendi u përfshi nga replikat dhe debatet gjatë seancës parlamentare gjatë diskutimit të pr/ligjit për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit. E ndërsa opozita akuzoi Qeverinë se po mashtron shqiptarët me numrin e vendeve të punës së krijuara, ministri i Ekonomisë iu përgjigj akuzave me reformat ekonomike të ndërmarra, si dhe investimet që arrijnë në 1 miliardë dollarë.
Aldo Bumci
Gjatë diskutimit për ndryshimet në ligjin për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, deputeti Aldo Bumçi theksoi se në Shqipëri gjatë 2014-s ka pasur një rënie të investimeve të huaja. Por Bumci u ndal në deklarimet e Kryeministrit Rama, sipas të cilit gjatë periudhës janar 2014-nëntor 2014 janë punësuar 92 mijë persona.
“92.000 vende të reja pune deklaroi Kryeministri Rama. Me këtë lajm Qeveria Shqiptare duhet të mbante vendin e parë në botë për numrin e të punësuar në më pak se një vit nga janari në nëntor 2014.
960.000 persona janë të punësuar në total, Kryeministri thotë se ka punësuar 10% të atyre. Nëse ko do të ishte e vërtetë me këtë ritëm do të ishin kthyer emigrantët.
Në një vend ku janë hapur 92.000 vende pune askush nuk do të protestonte. Unë vetë do ta votoja. Kjo është ajo që deklaroi Rama para tre ditëve.
Si qëndron e vërteta, Qeveria duhet të tregojë se ku janë hapur këto vende të reja pune. Pse ranë investimet e huaj kur erdhi në qeveri ky kryeministër. Mjafton të kemi një kryeministër të papërgjegjshëm”, tha Bumçi.
Fatmir Mediu
Kreu i Partisë Republikane Fatmir Mediu akuzoi qeverinë se po keqpërdor grupet në nevojë për të zgjeruar kontrollin mbi çdo gjë dhe për të bërë gjithçka sipas konceptit të saj dhe jo sipas ligjit. Ai theksoi se qeveria po fut një koncept të vjetër një ndarje klasore mes atyre në nevojë dhe biznesit, duke parë biznesin si problem.
“Po kërkojnë vende të ndryshme në rajon për investime, përmbytjet do ndikojnë rritjen e varfërisë. Të lëmë debatet boshe. Këto zona do të duan 2 vite për të dalë nga kjo situatë.
Qeveria po keqpërdor grupit në nevojë për të zgjeruar kontrollin në çdo gjë. Propaganda e saj është se vetëm kjo qeveri mund të bëjë gjithçka sipas konceptit të saj dhe jo si pas ligjit.
Qeveria po fut një koncept të vjetër një ndarje klasore mes atyre në nevojë dhe biznesit, duke parë biznesin si problem.
Nëse QKR dhe QKL nuk përmbledhin në një paketë që mbështet biznesin Shqipëria do të shkojë drejt recesionit do të rritet varfëria dhe përfituesit e vetme do jenë bizneset pranë qeverisë”, tha Mediu.
Arben Ahmetaj
Ministri i Zhvillimit Ekonomik Arben Ahmetaj duke iu përgjigjur akuzave të opozitës tha se pas letargjisë, fillon gallata për opozitën.
"Të sfidojë me shifra. Janë 1 miliardë dollarë investime, në statistikat e Bankës së Shqipërisë nëse shifra e importit të makinerive dhe pajisjeve nuk është më shumë se 1 miliardë dollarë. E nëse shikon këto shifra nuk dua të më kërkosh falje po të gëzohesh", replikoi Ahmetaj.
Edi Paloka
Kreu i deputetëve demokratë Edi paloka kërkoi nga drejtuesi i seancës që ministrave t’iu vihet një limit për mashtrimet.
"Ministri që foli është rekordmen. Nëse kryeministri po iu thotë që shqiptarëve se do hamë me lugë floriri, ky thotë se po hamë me lugë floriri", thekoi Paloka.
Arben Ahmetaj
Në replikë me deputetët e opozitës, Ahmetaj tha se qeveria ka ndërmarrë reforma shtyllë në përmirësimin e klimës së biznesit në tatim taksa, makroekonomi, pensione, reformen territoriale të materializuara në indeksin e besimit të sipërmarres, etj.
Ndërsa ftoi opozitën të kontribuonte me propozime konkrete për indikatorët e raportit “Doing biznes”, raport ky prestigjoz që tregoi se jemi në vendin e 108 me në përmirësim prej 40 vende, Ahmetaj tha se është hera e parë, por jo e rastësishme dhe ka të bëjë drejtpërsëdrejti me reformat që ka ndërmarrë qeveria.
Duke iu përgjigjur akuzave të opozites për rënie të investimeve të huaja në vend, ministri Ahmetaj tha se investimet e huaja direkte në vitin 2014 llogariten 1 miliard dollarë, ndërsa për herë të parë në vend janë importuar makineri dhe pajisje 1.1 miliard dollarë, që futen brenda 6 muajsh në prodhim.
“Vetëm në botën tuaj një biznes i trembur mund të investojë 1 miliard dollarë dhe jo një biznes që beson te reformat e qeverisë”, deklaroi Ahmetaj.
Ai akuzoi po ashtu opozitën që deri dje ishte në qeverisje për rëndim të biznesit përmes gjobave.
“Ishin 300 milionë dollarë gjoba elektorale mbi biznesin. U kujtoj qytetarëve se tatim fitimi në vit është 150 milionë dollarë. Dyfishi i tatim fitimit të një viti ishte gobë mbi kurrizin e sipërmarrjes”, deklaroi ministri.
Ahmetaj informoi se gjatë diskutimit me përfaqësuesit e Bankës Botërore për programin e partneritet, kusht ishin reformat që do të fokusohen në të gjitha ato pengesa që has biznesi me administratën, por jo vetëm.
“Ne jemi angazhuar për marrjen e të gjitha atyre reformave për reduktimin e të gjitha barrierave për të arritur një rritje prej 4.5 % në fund të mandatit”, u shpreh ministri.