AKIP zbardh takimin: Ja cfarë biseduam me Presidentin Nishani për importin e plehrave

Një grup aktivistësh të Aleancës Kundër Importit të Plehrave (AKIP) dhe aktivistë të grupimeve të tjera qytetare zhvilluan një takim informues me Presidentin e Republikës z. Bujar Nishani në lidhje me ligjin 92/2016 “Për Disa Shtesa dhe Ndryshime në Ligjin 10 463 Për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve”. Aktivistët i prezantuan Presidentit argumentet ligjore, ekonomike dhe mjedisore kundër ligjit, përfshirë faktin se ligji në fjalëështë miratuar në Kuvendin e Shqipërisë pa u paraprirë nga analiza serioze dhe të pavarura për nevojën dhe pasojat që mund të ketë ky ligj si dhe pa ndjekur procedurat e rregullta të njoftimit dhe konsultimit publik në shkelje të ligjeve përkatëse.

Aktivistja Kozara Kati iu drejtua Presidentit Nishani:

“Ju drejtohemi ju pasi jemi në një hall të madh, prej vitit 2004 AKIP ka sprapsur disa tentativa për hapjen e rrugës për importin e mbetjeve. Ligji për menaxhimin e mbetjeve urbane ka synim të mbrojë jetën dhe shëndetin e qytetarëve, por ka nene që lejojnë importimin e mbetjeve.

Swiss Digital Desktop Reklama

Është kauzë jo vetëm në interes të grupimeve që përfaqësojmë ne, por e të gjithë qytetarëve, për brezat e ardhshëm, që të mos lejojmë mbetjet e ardhura nga jashtë. Ju kërkojmë që me përgjegjësi të shihni mundësinë e mosdekretimit të ligjit”, shtoi ajo.

Swiss Digital Mobile Reklama

Aktivisti Lavdosh Ferruni tha: “Ky ligj është në funksion të menaxhimit të mbetjeve. Parimi kryesor i tij është pastrimi i Shqipërisë. Ndryshimet e importit të mbetjeve e hedhin poshtë këtë parim sepse importi është me rrezik për mjedisin dhe shëndetin e shqiptarëve.”

Aktivistja Brizida Gjikondi dënoi gjithashtu mungesën e transperencës në rrugën e miratimit të ligjit duke thënë se janë shkelur procedurat e konsultimit të grupeve të interesit dhe të ekspertëve.

“Ligji Për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve ka funksion bazë pastrimin e Shqipërisë, por nga kjo qasje ambjentaliste ka humbur funksionin duke u bërë një ligj me qasje biznesi”, tha Gjikondi.

Aktivisti Andi Tepelena theksoi faktin se megjithëse ligji për menaxhimin e integruar të mbetjeve është në fuqi që nga viti 2011, ai mbetet i pazbatuar: “Bashkitë kishin detyrim të menaxhonin mbetjet e territorit të tyre deri në vitin 2016, por ato nuk kanë ndërtuar infrastrukturën e duhur. Shifrat janë të ndryshme në vend. Bashkitë kanë dështuar të mbledhin dhe riciklojnë mbetjet e tyre urbane,” tha ai.

Aktivisti Aldo Merkoci vuri theksin te fakti se “kjo është një betejë e cila po vazhdon prej 12 vitesh tashmë, duke treguar një konsistencë e cila ka qendruar e tillë perballë 3 qeverive të ndryshme. Një konsistencë dhe një vullnet i tillë i shprehur në mënyrë të drejtperdrejte i qytetarëve duhet vlerësuar dhe jo anashkaluar nga politika,” tha ai.

Presidenti Nishani falënderoi grupin e aktivistëve dhe i nxiti ata të tregojnë persistencë në angazhimin qytetar, si dhe premtoi se do ta marrë në konsideratë kërkesën e AKIP.

“Zëri juaj si shoqëri civile më ka inspiruar dhe më ka dhënë shpresë. Jam i bindur që do ta fitoni kauzën tuaj”, shtoi presidenti duke theksuar se në raste të tilla zëri qytetar ka më tepër rëndësi se një firmë.

“Unë do ta trajtoj me seriozitet çështjen e shtuar prej jush. Do të punojmë me ekspertë për të, pasi për mua ka shumë rëndësi. Jam i obliguar të jem i integruar në mbrojtje të interesit publik… Për sa kohë do të jem në këtë zyrë, nuk do ta zhgënjen interesin publik që ju përfaqësoni”, u shpreh presidenti Nishani.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kë do të votonit si kandidat për kryebashkiak në Tiranë?