Aktakuzat për Thaçin e Veselin. Mesazhi i Metës për Kosovën: Urtësi, unitet, largpamësi

Situata politike në Kosovë, u trondit nga lajmi se zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë, ka ngritur aktakuza ndaj Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli. Në komunikimin javor me gazetarët për zhvillimet politike, Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, teksa e ka cilësuar si një zhvillim sfidant, e quan edhe si strategji për të njollosur UÇK-në. Nga ana tjetër, kreu i shtetit dha edhe një mesazh për Kosovën: Urtësi, unitet, largpamësi.

“Çështja e dytë është për aktakuzat e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit. Natyrisht që është një zhvillim mjaft sfidant, i cili absolutisht që jam i sigurt, që do të përballohet me shumë urtësi, unitet dhe largpamësi nga jo vetëm këto dy personalitete por edhe nga presidenti i cili ka qenë udhëheqësi kryesor politik i UÇK, por edhe Veseli, që duke vlerësuar se nuk është një sfidë e tyre në planin individual, jam i bindur që do të përballohet me shumë dinjitet dhe përgjegjshmëri jashtë kalkulimeve afatshkurtra nga klasa politike në Kosovë”,- tha Presidenti Meta.

Kreu i shtetit tha se drejtuesit e UÇK do të përballojnë me dinjitet edhe këto sfida. “Nuk është hera e parë që ndaj udhëheqësve të UÇK-së, të kemi aktakuza, të gjithë kemi eksperiencën e këtyre 20 viteve, ku pala që shkaktoi luftën dhe gjenocidin e ka kthyer në një strategji të sajën njollosjen e UÇK, por jo vetëm kaq, por edhe dëmtimin e funksionimit të shtetit të Kosovës, pavarësia e të cilit jo vetëm që është njohur nga gjykata ndërkombëtare e drejtësisë, por edhe ka treguar se është faktor stabiliteti për rajonin. I shpreh solidaritetin tim edhe si president por edhe si mik dhe shok me presidentin e Kosovës, por edhe me kryetarin e PDK-së dhe jam i sigurt që ata do ta përballojnë me mjaft dinjitet për të konfirmuar edhe njëherë tjetër drejtësinë e luftës së UÇK-së dhe rrëzuar këtë strategji provokative që kërkon të mbajë peng rajonin dhe të minojë integrimin si në disa vende fqinje”,- tha kreu i shtetit.

SHKARKO APP