Aktakuzat për Thaçin dhe Veselin, Bushati: Lajm i rëndë, por jo i pari! Kosova duhet ta përballojë me dinjitet
Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati deklaroi se aktakuzat për presidentin Hashim Thaçi dhe Kadri Veselin, të cilët akuzohen për krime lufte, është një lajm i rëndë por jo i pari.
I ftuar në emisionin “Real Story” në ‘News24’ Bushati tha se Kosova duhet ta përballojë me dinjitet këtë çështje, ndërsa shtoi se këtu nuk bëhet fjalë vetëm për Thaçin si president, por për gjithë shtetin.
“Është një lajm i rëndë por jo i pari në listën e lajmeve të rënda sa i takon aktakuzave, sepse kuptoj para pak kohësh diçka e ngjashme ngjau me Haradinajn. Apo me Limajn. Dhe ka një historik ku proces, pasi miratimi i dhomës speciale është krijuar falë vendimit të parlamentit në Kosovë, po dhe me insistimin e partnerëve, si SHBA dhe BE. Jemi në kushtet e paralajmërimit për një aktakuzë. Leximi i deklaratës apo i një njoftimi për shtyp i dhomës së specializuar më dha shijen se është ngritur një aktakuzë në 24 prill. Duhet të shqyrtohet nga një gjykatës i posaçëm, nëse do të ngrihet një proces për Thaçin dhe Veselin. S’ka pasur dëshirë, por ka qenë e vështirë, pasi institucionet në Kosovë janë të brishta. S’kemi sundim të së drejtës as në Kosovë e në Shqipëri. Ndaj është insistuar që të ngrihet ky institucion. Është si ajo sëkëlldia që kemi dhe ne në Shqipëri, duke përfshirë OMN. Unë kam pasur i pari atë sëkëlldi. Kosova nuk e ka sfidën e parë këtë gjë, duhet ta përballoj më dinjitet. Kjo bëhet fjalë për një president, nuk bëhet vetëm fjalë për fatin persona të presidentit, por dhe të fatit të Kosovës. kur flasim për ide të ndryshimit të territoreve apo rolin e njërës palë në këtë proces, nisim të hyjmë në konspiracion. Nuk mendoj se ka drejtësi të kulluar”- tha Bushati.
Bushati ka thënë se mes Kosovës dhe Serbisë s’mund të ketë barazi sa i përket krimeve gjatë luftës.
Bushati thotë se nga njëra anë janë krimet e Serbisë në emër të një gjenocidi të spastrimit etnik të popullatës shqiptare në Kosovë, dhe nga ana tjetër krime të supozuara nga disa persona të veshur me uniforma ushtarake nga Kosova që ishte UÇK-ja.
Ai bseon tek pafajësia e Thaçit dhe Veselit por shton se dihej që këto situata mund të vinin pasi janë disa persona në Kosovë që janë në proces nga Tribunali i Hagës.
“E tha dhe kryeministri në parlament, natyrisht që në mënyra të ndryshme, në forma të ndryshme ne dinim që kishte një proces ndaj disa emrave. Dihej që do vinim në këto lloj situatash. Ideja për të falur krimet ishte për një barazi të krimeve serbe dhe ato të supozuara të UÇK-së. E para s’mund të ketë barazi mes këtyre. Gjenocidi serb përkundrejt personave të veshur si ushtarakë.
Unë besoj në pafajsinë e Thaçit dhe Veselit. Siç kam besuar tek Haradinaj. Përndryshe nuk do ishim në këtë diskutim. Ku ka një aktakuzë, duhet të verifikohet para institucioneve të drejtësisë. Nuk e kam një informacion ligjor të tillë, por edhe nëse do e kisha nuk do jepja”, tha Bushati.