Aktorët në alert për Teatrin, Liçaj mesazh Ramës: O i rraskapituri i Surrelit! E ktheve në personale, bujrum të përplasemi!

Të ngarkuar emocionalisht dhe tepër të revoltuar, përfaqësuesit e Aleancës për Mbrojtjen për Teatrin paralajmëruan edhe njëherë kryeministrin Edi  Rama dhe kryetarin e Bashkisë Erion Veliaj të mos bëjnë asnjë hap për prishjen e Teatrit Kombëtar.

Regjisori, Edmond Budina, apeloi bashkinë të mos bëjë marrëzira se do të kenë në krah popullin e Tiranës.

Budina: Populli i Tiranës e tregoi shumë mirë në kohën e tërmetit sesi nuk shkoi te Bashkia por erdhi te Teatri Kombëtar. Prandaj u them thirrini mendjes, mos bëni marrëzira, se ne do të jemi atje, populli i Tiranës do të jetë atje. Kaq.

Të hënën ndërkohë është lajmëruar një protestë nga AMT para Bashkisë dhe Budina i bëri thirrje të gjithë qytetarëve të majtë dhe të djathtë që tu bashkohen.

Budina paralajmëroi sjellje dhe reagim proporcional përballë pushtetit.

Budina: Ne jemi qytetarë të lirë që nuk bëjmë pjesë në asnjë parti politike por është dhe e drejtë e gjithëkujt që të jetë anëtar i një partie dhe të mbështesë qytetarinë. Ne ju bëjmë thirrje edhe qytetarëve që janë me bindje të majta, nuk mbrohet as PD, as LSI dhe as opozita por kultura shqiptare, dinjiteti kombëtar, dinjiteti i qytetarisë shqiptare. Nuk kemi të bëjmë thjesht me një Teatër por rënien e demokracisë. Tregimi i forcës prej tyre tregon se jemi në një shtet dhune në një kohë që nuk funksionojnë gjykatat,  gjithçka është në dorën e pushtetit, ky është një moment tepër i vështirë për të gjithë qytetarët. Ne do të jemi atje.Do të reagojmë sipas reagimit që do të bëjnë ata. Gjithë opozita, njerëzit opozitarë të Shqipërinë do të jenë me ne.

Më i ashpër ishte aktori Neritan Liçaj, i cili i bëri të qartë kryeministrit Rama se meqë çështjen e Teatrit Kombërtar e ka kthyer në personale, “bujrum” në fushën e betejës.

Liçaj: Kisha një mesazh për kryeministrin e rraskapitur. Teatri është tempulli i fjalës së lirë, tempulli i mendimit qytetar, intelektualit, i besimit fetar, i besimit politik, është flamuri kuqezi, është ndjenja kombëtare. Kur ai zotëria atje mendon se mund të luajë me dy flamuj kuqezi se janë dy teatro kombëtarë, ai luan me ekzistencën e kombit tonë dhe ekzistenca e kombit tonë o i rraskapituri i Surrelit varet nga ne dhe ai atje lart. Por ti po e çon në personale, atëherë bujrum të përplasemi ose ti, ose ne. Të jesh i bindur që nuk do të fitosh. Nuk keni parë gjë akoma!

Deklaratat Budina dhe Liçaj i bënë pas takimit që patën me kryeopozitarin Lulzim Basha, i cili u shpreh se shembja e Teatrit Kombëtar është një akt lufte dhe ftoi të gjithë demokratët dhe mbështetësit e opozitës që të reagojnë pasi, Teatri është vija e kuqe sipas tij.

SHKARKO APP