Akuza e fortë nga Salianji: Rama ka hall të ndalojë koalicionet
Këshilli Politik ka kohë deri më 30 korrik për të përfunduar Reformën më të rëndësishme pas asaj në Drejtësi e që është ajo Zgjedhore. Produkti dhe procedurat që u kryen në këtë proces, sipas shoqatave dhe shoqërisë civile, përbën një rrezik për demokracinë dhe të ardhmen.
Ervin Salianji, ish-deputet i Partisë Demokratike, thotë se opozita pret vetëm ”miratimin e marrëveshjes së 5 qershorit”, pasi sipas tij, ”nuk mund të hidhet poshtë një punë 6-mujore se dikush çohet me ëndrra një ditë dhe ka frikë se i humbet pushteti”.
“Kalimi i Marrëveshjes së 5 qershorit pritet nga ne, shqiptarët dhe ndërkombëtarët. U deshën 6 muaj për të rregulluar vetëm një aspekt, që ishte administrimi i zgjedhjeve. Imagjinoni se sa kohë duhet për hapjen e listave. Duhej diskutuar shumë kohë më parë, për t’i dhënë mundësi qytetarëve që të zgjedhin sistemin. Kjo që propozohet sot nga Rama nuk është hapje listash, por tallje me qytetarët sepse prapë fituesit zgjidhen nga Rama, ndërkohë që halli i tij është ndalimi i koalicioneve. Nuk mundet që kjo gjë të bëhet 6 muaj para zgjedhjeve dhe pa konsensus. PS-ja ka qenë kundër listave të hapura në diskutimet që u bënë në Këshillin Politik. Duhet kaluar marrëveshja e 5 qershorit, siç kanë thënë ndërkombëtarët”, tha ai në ”A2cnn”.