Akuzat e PD/OSHEE: Fabrikës së tullave në Korcë i është prerë energjia që në 29 Dhjetor
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) ka hedhur poshtë deklaratat e Partisë Demokratike, sipas së cilës, OSHEE ka lejuar të vijojë aktivitetin dhe nuk i ka prerë energjinë një fabrike tullash, që sipas deputetes Albana Vokshi, është në pronësi të deputetit të LSI-së Piro Kapurani, dhe me fatura të papaguara.
OSHEE sqaron se kësaj fabrike i është ndërprerë energjia dhe ende sot nuk i është rikthyer.
“Sa i takon kontratës së një biznesi që i referohet në deklaratë Partia Demokratike, OSHEE deklaron se kjo kontratë ka qenë pjesë e listës së debitorëve kryesorë që është dërguar për ndërprerjen e energjisë elektrike.
Rajoni i Korçës në bashkëpunim me Drejtorinë e Tensionit të Lartë ka bërë ndërprerjen e klientit nga nënstacioni që në datën 29 dhjetor 2014.
Në datën 9 janar, klienti është verifikuar sërish dhe energjia në këtë subjekt vazhdon të jetë e ndërprerë deri në likuidimin e plotë të detyrimeve”, thuhet në deklaratën e OSHEE-së.
Më tej, OSHEE i bën thirrje PD-së të lërë këtë kompani të bëjë detyrën e vetë.
“Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike i bën thirrje Partisë Demokratike që ta lërë të rimëkëmbet kompaninë që ajo vetë rrënoi për tetë vitet e qeverisjes së saj”, ka deklaruar OSHEE.