Akuzat ndaj Haradinajt, Gjosha: Qëndrim i turpshëm i Ramës, pasqyrë e shëmtuar e lidershipit tonë!
Ish deputetja e LSI-së, Klajda Gjosha ka reaguar pas akuzave të kryeministrit Rama drejt kryeministrit të Kosovës.
Në një postim në Facebook, Gjosha shkruan se gjuha e arrogancës që kalon përtej kufijve është pasqyra e shëmtuar e lidershipit tonë, është fyese për një shtet të pavaruar si Kosova dhe për gjithë qytetarët Kosovarë.
Postimi i plotë:
I turpshëm qëndrimi i Kryeministrit ndaj Kosovës. Gjuha e arrogancës që kalon përtej kufijve është pasqyra e shëmtuar e lidershipit tonë, është fyese për një shtet të pavaruar si Kosova dhe për gjithë qytetarët Kosovarë.
Bashkëpunimi Ballkanik është i domosdoshëm, por ai duhet të kryhet me transparencë dhe me gjithë përfshirje. Në çdo bashkëpunim është e nevojshme të udhëhiqemi nga interesi kombëtar. Ndaj gjithë kujt nga ne sot i lind pyetja: Çfarë përfitojmë ne nga kjo marrëveshje? Me çfarë konkurron Shqipëria në tregun rajonal? Cilat janë kapacitetet tona? Cilat janë projektet konkrete?
Kryeministri të mos japë vetëm shifra miliarda euro për të marrë vëmendjen e publikut por të analizojë me saktësi përfitimet konkrete për Shqipërinë.
Të bësh show sot me Kosovën është veprimi më i ulët dhe nuk i shkon për shtat Shqipërisë! Edhe nëse Kosova ka rezerva, a është ulur dikush nga qeveria jonë për të diskutuar me ta? Çfarë duhet bërë që Kosova të jetë pjesë e këtij bashkëpunimi?
Ky do të ishte reagimi i një shteti normal!