Alarmi ”Omicron”, Silva Bino flet për situatën në Shqipëri: Ky dimër do të jetë i vështirë
Shqipëria nuk ka raste të konfirmuara zyrtarisht me variantin e ri të Covid-19 të quajtur ”Omicron”. Instituti i Shëndetit Publik ka rritur gatishmërinë, pasi rreziku i hyrjes është i madh për shkak të pranisë së tij në Italinë fqinje dhe në vendet e tjera të Europës.
Shefja për sëmundjet infektive në ISHP, Silva Bino thotë se ky mutacion po alarmon botën edhe pse të dhënat nuk janë të plota. Shumë shtete të botës po rikthejnë kufizimet, Bino ngre shqetësimin për mosrespektimin e masave në Shqipëri.
Ekspertja e komitetit teknik i bën thirrje institucioneve përgjegjëse, qytetarëve dhe bizneseve të zbatojnë anti-Covid pasi ky dimër do të jetë i vështirë.
“Orari i përcaktuar 23:00-06:00 duhet të zbatohet. Klubet e natës, grumbullimet nuk duhet të funksionojnë. Maskat duhet të mbahen në mjedise të mbyllura dhe në autobusë. Duhet të ketë kontrolle të rrepta të zbatimit të këtyre masave”.