Albana Vokshi: Bashkëpunimi PD-LSI vijon dhe pas zgjedhjeve

Pyetjes nëse bashkëpunimi PD-LSI do të vijojë edhe pas humbjes së zgjedhjeve të 25 prillit nga opozita, politikania Albana Vokshi iu përgjigj duke thënë se asgjë nuk ka ndryshuar. E ftuar në edicionin e lajmeve të MCN TV, Vokshi tha se bashkëpunimi mes do të vijojë dhe se ka qëllim të përbashkët largimin e kryeministrit Edi Rama.

Pjesë nga intervista në MCN TV:

Ka zëra që thonë se bashkëpunimi me LSI ju penalizoi, pas procesit si do vijojë bashkëpunimi?

Vokshi: Ajo që dua të them është që bashkëpunimi me LSI dhe partitë e tjera nuk ka nisur para 25 prillit, është disavjeçar dhe është i fokusuar për të larguar armikun e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme që mban peng të ardhmen europiane. Është një bashkëpunim që ka qenë funksional. U bë një marrëveshje parazgjedhore që do të vijonte pas zgjedhjeve. Asgjë nuk ka ndryshuar, bashkëpunimi vijon.

Zhvillimet në PD, Grupi për PD ka kërkuar dorëheqje dhe reformim të PD, çfarë po ndodh?

Vokshi: Në një parti të madhe ka dhe duhet të ketë debat i cili është i mirë. Një pjesë të mirë të personave që kanë bërë deklarata dhe kanë firmosur i kam miq. Më vjen keq që reagimi ka qenë i menjëhershëm pa pritur të mbylleshin kutitë dhe të shihej ku është PD në lidhje me pritshmëritë që kishte deklaruar. PD dhe aleanca për ndryshim në gjykimin e 90% të qytetarëve ka bërë një fushatë model. Është rekord për PD ky numër votuesish dhe çdokush që do të ketë një koment duhet të ndjekë procedurat statuore.

Është koha e gabuar?

Vokshi: Ka një statut, nuk duhet të bëhen gjyqe publike por të ndiqen procedurat statuore. Kjo është këshilla për miqtë e mi që kërkojnë dorëheqjen. Ajo që unë them është që pas çdo zgjedhje bëhet analizë, për të parë çfarë shkoi mirë dhe çfarë duhej të ishte bërë ndryshe. Pas analizës të ndiqen procedurat dhe secili anëtar i PD pretendimet e tyre ti hedhin në forume. Nuk duhen bërë gjyqe publike, kjo nuk i vlen as PD dhe asnjë demokrati që ka bërë punën e tij. PD është një parti e hapur për çdo mendim ndryshe, debatet i vlejnë çdo partie por të mos bëhen gjyqe publike që çojnë ujë në mullirin e Ramës. Gjithkush ka të drejtë që në bazë të statutit të kërkojë një procedurë.

SHKARKO APP