Albcontrol jo në krizë siç deklaroi Balluku, tendera për kafe me vlerë 2.8 milion lekë

Kompania Albcontrol, e cila sipas ministres së Infrastrukturës Belinda Balluku është futur në një krizë të thellë dhe nuk ka pasur mundësi të investojë këtë periudhë për kushte më të mira pune për punonjësit, nuk rezutlon të jetë aspak në këtë gjendje.

Në Agjencinë e Prokurorimit Publik rezulton se në vetëm tre muajt e parë të këtij viti, Albcontrol ka bërë tendera për lule sezonale, pastrim zyrash, lyerje fasade, kufje të reja, kapsula kafesh, që në një periudhë pandemie dhe jo vetëm, konsiderohen shpenzime luksi. Një prej tenderave që bie më së shumti në sy është ai i: shërbimit të pastrimit të ambienteve të Albcontroll, me një fond limit prej më shumë se 129 milionë lekësh (1.3 miliardë lekë të vjetra), i cili është hapur jo më larg se janari i këtij viti.

Një kompani që nuk ka mundësi të likuidojë punonjësit e saj, vetëm në janar të këtij viti ka bërë një tender prej 1 milionë lekësh për lule sezonale. Tre tendera me objektin ”Kafe kapsulë për ekspres zyre” në vlerën e 2.8 milionë lekë; Berja upgrade si dhe blerje HD për sistemin sadis; dy tendera me objektin ”Blerje e kufjeve të reja për ATCO”, janë vetëm disa nga dhjetëra tenderat e hapur nga kjo kompani.

Argumentin e një krize financiare, që do të gjente shpëtim vetëm nga ulja drastike e pagave që vijon prej një viti, ministres ia rrëzoi një pyetje e thjeshtë e gazetares së Fax News Mirilda Tili, e cila e pyeti se si ka mundësi, që Albcontroll vijon të bëjë tendera milionësh, në një kohë kur qenka në vështirësi kaq të mëdha ekonomike, sa të mos ketë mundësi të likujdojë pagat.

Balluku u përpoq të justifikohej, duke thënë se Albcontroll ka bërë tendera vetëm për mirëmbajtje dhe jo investime, por në një kërkim të thjeshtë në agjensinë e prokurorimit publik, rezulton se kjo kompani ka pasur para që të kërkojë edhe lule sezonale, apo shpenzime të tjera, që në fakt duken luks përpara përgjysmimit të rrogave të punonjësve.

SHKARKO APP