Albert Çaçi denoncon “shpenzimet marramendëse” të kandidatëve të PS e PD, kërkon hetim

 

Sapo hyn në Fier dhe në gjithë qytetin dy ngjyra të vrasin sytë, bluja e kaltërt dhe ngjyra lejla të cilat qëndrojnë në sfond të dy fytyra burrash, Armando Subashit dhe Enkelejd Alibeajt, kandidatë të dy kampeve të mëdha politike për bashkinë Fier. Një tjetër kandidat është në garë, ai ka qenë tre herë deputet i kësaj zone, lindur dhe rritur në Fier, një burrë i thjeshtë që bredh fshatrave çdo ditë në takime me banorët dhe ka me vete vetëm disa postera letre në format A3. Kandidati i PSD-së për Bashkinë Fier, Albert Çaçi, ka denoncuar dje shpenzimet marramendëse të bëra nga kundërshtarët e tij në këtë garë, të PS-së dhe PD-së, duke kërkuar hetim për milionat që hidhen për imazh dhe që tallin fukarrallikun e popullit, sipas tij. Gjatë një takimi me banorë të komunës Seman, Çaçi, tha se kërkonte hetime nga autoritetet përgjegjëse se një ish-gjyqtar si Armando Subashi shpenzon shuma kaq të mëdha parash për të nxjerrë fytyrën e tij në çdo metër rrugë në Fier, ndërkohë që ju po luftoni për mbijetësën e përditshme.

“Vetëm më pak se një kilometër rrugë në qytetin e Fierit posterat dhe billborderat e kandidatëve të partive të mëdha kushtojnë mbi 200 mijë euro sepse një billboard kushton nga 1500 deri në 3500 euro në muaj. Po ku i gjetën paratë këta kandidatë? Kujt i bëjnë karshillik këta me miliona të harxhuara për imazhin e tyre? Njerëzit po luftojnë për bukën e gojës, janë në mjerim, dhe këta shpenzojnë shuma marramendëse për tu tallur me këtë fukarallëk. Kjo tregon sa larg halleve të njerëzve janë vërtetë këta kandidatë që kërkojnë votën e popullit”, tha Çaçi.

 Duke iu referuar kandidatit të majtë Armando Subashi ai tha më tej se si mundet që “një ish gjyqtar shpenzon aq shumë. Flitet se e mbështet dhe e financon Albetroli, Koço Kokëdhima,që është mik i tij, por nuk jam ai që verifikoj këtë, por duhet të hetohet kjo gjë, duhet të verifikohen shpenzimet se s’bën”, u shpreh Çaci. Albert Çaçi tha se për këtë fushatë me mundësitë dhe mbështetjen e dashamirësve të tij ka shpenzuar vetëm 3500 euro për një makinë lëvizëse dhe disa postera letre.

 

 

SHKARKO APP